Vrasjet e shqiptarëve nga banda serbe “Roja e Urës”, Mitrovica përkujtonin 4 shkurtin

Disa muaj pas përfundimit të luftës, kur për shqiptarët kishte rikthyer shpresën për të jetuar të lirë në Kosovë, qytetarët e Mitrovicës u përballën me vrasje dhe dëbime masive.
Në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, banda kriminale serbe e njohur si “Rojat e Urës” nisi sulmet ndaj shqiptarëve që jetonin në veri të urës së Ibrit.
Luan Abrashi, atëherë 13-vjeçar, u bë dëshmitar i vrasjes së të ëmës, Sebihasë.
“Ka qenë e organizuar shumë mirë nga ana e strukturave serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve. Ka qenë një natë e tmerrshme, realisht vrasjet janë bërë pa dallim gjinie, pa dallim moshe, në mënyrën më barbare, me bomba dhe armë të ftohta”, tha Luan Abrashi.
Që prej 26 vjetësh, ai bashkë me familjen jetojnë në jug të Mitrovicës dhe kërkojnë drejtësi.
“Pas 26 vitesh ende nuk ka drejtësi për viktimat e asaj nate. Nuk është dënuar askush, edhe pse dihet shumë mirë se kush ka qenë në krye, si Oliver Ivanoviçi, Delibashiçi e të tjerë”, shtoi Abrashi.
Në “natën e tmerrit”, banda “Rojat e Urës” vrau dhjetë civilë shqiptarë, përfshirë fëmijë dhe pleq, plagosi 25 të tjerë dhe dëboi me dhunë rreth 12 mijë shqiptarë nga veriu i Mitrovicës. Sipas dëshmitarëve, gjithë kjo ndodhi në praninë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.
Në këtë përvjetor, në urën e re mbi lumin Ibër është përuruar një pllakë përkujtimore për viktimat.
“Duhet të jetë e paharruar sakrifica dhe gjaku i derdhur i qytetarëve shqiptarë edhe pas çlirimit të Kosovës dhe prezencës së KFOR-it në Kosovë”, tha Faton Pec, kryetari i Mitrovicës së Jugut.
Fotografitë e trupave të të vrarëve, të atyre që u keqtrajtuan dhe të shtëpive që u dogjën do të jenë pjesë e ekspozitës së hapur në Qendrën e Kulturës në jug të Mitrovicës. Ndërkohë, drejtësia ende mungon.
Më 11 gusht 2014, Prokurori Ndërkombëtar ngriti aktakuzë ndaj Oliver Ivanoviçit, Aleksandër Llazoviçit, Dragolub Delibashiçit dhe Ilija e Nebojsha Vujaçiçit, për krime lufte kundër popullatës civile në prill 1999 dhe shkurt 2000. Pas shqyrtimit rreth një viti, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Roxana Comsa shpalli fajtor vetëm Ivanoviçin për akuzën e parë dhe liroi të tjerët për akuzën e dytë. Në tetor 2016, Gjykata e Apelit e ktheu këtë rast në rigjykim, mirëpo më 16 janar 2018, Ivanoviç u vra para zyrës së tij në Mitrovicë të Veriut.
Po ndodh...
ide
Ata nuk penguan Bashën, por rotacionin politik
Për palo-reformat, pushteti dhe opozita
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
