Celibashi reagon për denoncimin e PD-së mbi “trenin bullgar”: Nëse provohet, kemi të bëjmë me vepër penale

13 Maj 2025, 21:37 / POLITIKË ALFA PRESS

Celibashi reagon për denoncimin e PD-së mbi “trenin

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, reagoi sot nga ambientet e Parkut Olimpik të Tiranës në lidhje me një denoncim të Partisë Demokratike mbi dyshimet për manipulim votash në KZAZ nr. 40, përmes asaj që njihet si fenomeni i “trenit bullgar”.

Sipas PD-së, janë konstatuar fletë votimi me parregullsi të dukshme, përfshirë ndryshime në ngjyrën e bojës, të cilat nuk përputhen me fletët zyrtare të shpërndara nga KQZ. Partia ka depozituar një kërkesë zyrtare për të siguruar pamjet filmike të qendrës së numërimit.

Celibashi u shpreh se ishte informuar publikisht për këtë denoncim dhe garantoi se KQZ do të vendosë në dispozicion të gjitha materialet e nevojshme për të gjitha subjektet politike, përfshirë pamjet e kërkuara nga PD.

“Nëse kjo ka ndodhur, jemi përpara një vepre penale,” tha Celibashi. “Është rasti për të pasur atë fokus që duhet, për t’i dhënë përgjigjen e merituar këtij rasti, nëse provohet se ka ekzistuar fenomeni i ‘trenin bullgar’, i futjes së fletëve të votimit nga jashtë dhe nxjerrjes së fletëve të vërteta te ai që ka sponsorizuar këtë gjë.”

Ai theksoi se transparenca është prioriteti i KQZ-së dhe çdo rast i dyshuar do të trajtohet me seriozitetin maksimal në bashkëpunim me organet hetimore.

 

ide