MaShqip: SPAK zbardh SMS-të Rama-Kryemadhi për Shatkun dhe shkollimin e Borës në Angli

24 Maj 2026, 13:02 / POLITIKË ALFA PRESS

MaShqip: SPAK zbardh SMS-të Rama-Kryemadhi për Shatkun dhe shkollimin

Zbardhen bisedat mes kryeministrit Edi Rama dhe Monika Kryemadhit, ku kjo e fundit, sipas dosjes së SPAK të siguruar ekskluzivisht nga “MaShqip”, lobonte për kompaninë “UNIFI Communication INC” të biznesmenit shqiptaro-amerikan Adrian Shatku, i cili në të njëjtën kohë rezulton se financonte shpenzime dhe favore për familjen Meta-Kryemadhi.

MaShqip: SPAK zbardh SMS-të Rama-Kryemadhi për Shatkun dhe shkollimin

Sipas komunikimeve të sekuestruara nga telefoni i Monika Kryemadhit, në tetor të vitit 2014 po zhvillohej një betejë brenda qeverisë për heqjen e ekskluzivitetit të kompanisë ATU në shtrimin e fibrave optike dhe dhënien e të njëjtave të drejta kompanisë së Adrian Shatkut. Në këtë proces përmenden direkt Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Edmond Haxhinasto, Damian Gjiknuri, Milena Harito dhe vetë kryeministri Edi Rama.

MaShqip: SPAK zbardh SMS-të Rama-Kryemadhi për Shatkun dhe shkollimin


Në një nga komunikimet e administruara nga SPAK, ish-kreu i AKEP, Piro Xhixho, i shkruan Monika Kryemadhit se drafti për projektin ishte gati dhe se “Milena është jashtë loje dhe po luhet një lojë…”. Monika i përgjigjet se ministrja Milena Harito “pret miratimin e Ramës”, duke lënë të kuptohet se vendimi final për projektin kalonte nga zyra e kryeministrit.

Vetëm pak orë më pas, sipas dosjes hetimore, Monika Kryemadhi komunikon sërish me Adrian Shatkun dhe i shkruan se ishte takuar me Edi Ramën dhe se ai kishte kërkuar që çështja “të bëhej urgjentisht”. Shatku i përgjigjet menjëherë: “Ky është lajmi më i mirë i vitit”.

MaShqip: SPAK zbardh SMS-të Rama-Kryemadhi për Shatkun dhe shkollimin

Dosja e SPAK tregon se Adrian Shatku ushtronte presion të vazhdueshëm për të marrë lejet për fibrat optike, ndërsa në email-et dhe SMS-të e sekuestruara ai sulmonte operatorët ekzistues dhe kërkonte ndërhyrje politike në favor të kompanisë së tij. Në një email të 9 tetorit 2014, të siguruar nga “MaShqip”, Shatku shkruante se projekti “National Broadband” ishte “infrastruktura e shekullit të 21” dhe se Shqipëria po mbahej peng nga “praktika monopoliste”.

“Ta lësh në dorën e një amatori… është destructive, është regress dhe ka larguar nga Shqipëria institucione si OPIC dhe IFC”,- shkruante Shatku, ndërsa kërkonte heqjen urgjente të ekskluzivitetit të kompanisë ATU.

Sipas SPAK, në të njëjtën kohë që kërkonte favore shtetërore për kompaninë e tij, Adrian Shatku rezulton se mbulonte edhe shpenzime personale për familjen Meta-Kryemadhi. Dosja përmend përdorimin e kartave të kreditit nga Monika Kryemadhi për blerje luksoze në San Marino, si dhe përfshirjen e Shatkut në sistemimin e Bora Metajt në një kolegj privat në Angli.

Në komunikimet e sekuestruara, Monika Kryemadhi i shkruan Shatkut se Bora do të vazhdonte studimet në Angli dhe jo në SHBA. Më pas, më 12 tetor 2014, Adriani, Monika dhe Bora rezultojnë në Londër, ku sipas SPAK kishin qëndruar në hotel “Harrolds” dhe kishin zhvilluar takime me Catherine Kelsey, e cila do të shërbente si kujdestare e Bora Metajt gjatë studimeve.

MaShqip: SPAK zbardh SMS-të Rama-Kryemadhi për Shatkun dhe shkollimin

Në një tjetër mesazh, Shatku i shkruan Monikës se “kostoja e një semestri mund të shkojë 13 ose 14”, ndërsa në email-et e administruara nga SPAK rezulton se kujdestarja britanike kërkonte 1,500 paund për çdo semestër, pa përfshirë shpenzimet e tjera.

Hetuesit dyshojnë se marrëdhënia mes Adrian Shatkut dhe çiftit Meta-Kryemadhi nuk ka qenë thjesht shoqërore apo biznesi, por një skemë favorizimesh reciproke, ku biznesmeni kërkonte ndryshime rregullash dhe vendime shtetërore në favor të kompanisë së tij, ndërsa në këmbim financonte shpenzime dhe favore për familjen e ish-çiftit politik të LSI-së./Marrë nga MaShqip

Po ndodh...