Prefekti merr më shumë pushtet në territor, krijohet Prefekti Detar për zonat bregdetare

Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 107/2016 “Për Prefektin e Qarkut”, një ndërhyrje ligjore që synon të riformësojë rolin e prefektit si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në territor dhe të forcojë mekanizmat e koordinimit mes institucioneve qendrore dhe pushtetit vendor. Ndryshimet vijnë në një moment kur sfidat e sigurisë publike, emergjencave civile dhe menaxhimit të zonave bregdetare janë rritur ndjeshëm, veçanërisht për shkak të zhvillimeve turistike dhe presionit mjedisor .
Thelbi i projektligjit qëndron në zgjerimin e kompetencave të prefektit, duke e pozicionuar atë si një nyje kyçe bashkërendimi ndërinstitucional në nivel qarku. Sipas relacionit shpjegues, ligji aktual ka shfaqur boshllëqe në koordinimin mes institucioneve qendrore, njësive të vetëqeverisjes vendore dhe strukturave të sigurisë, çka ka ndikuar në eficiencën e politikave publike në territor. Për këtë arsye, projektligji parashikon një rol më aktiv të prefektit në ndërlidhjen e veprimtarisë së administratës shtetërore me pushtetin vendor, si dhe në raportimin e drejtpërdrejtë pranë Kryeministrit në rastet kur problematikat nuk gjejnë zgjidhje në nivel ministror.
Një nga risitë kryesore lidhet me forcimin e rolit të prefektit në fushën e sigurisë publike. Projektligji parashikon bashkëpunim dhe koordinim të detyrueshëm me Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake, si dhe konsultim të rregullt me kryetarët e bashkive për çështjet e rendit, qetësisë dhe sigurisë në komunitet. Prefekti merr gjithashtu të drejtën të thërrasë dhe të drejtojë mbledhjet e Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike, duke ndjekur më pas zbatimin e masave të dakorduara në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.
Një tjetër dimension i rëndësishëm i projektligjit është roli i zgjeruar i prefektit në menaxhimin e emergjencave civile. Ndryshimet ligjore e ngarkojnë prefektin me përgjegjësinë për bashkërendimin me njësitë e vetëqeverisjes vendore, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, me qëllim përmirësimin e reagimit institucional në situata krize dhe fatkeqësish natyrore .
Risia më e spikatur e paketës ligjore është krijimi i institucionit të “Prefektit Detar”, një strukturë e re që synon forcimin e qeverisjes dhe sigurisë në zonat bregdetare. Sipas projektligjit, do të emërohen dy prefektë detarë, me qendra në Durrës dhe Vlorë, me juridiksion mbi dhe nën lumin Seman. Prefekti Detar do të ketë përgjegjësi të gjera në koordinimin e sigurisë detare, monitorimin e vijës bregdetare, menaxhimin e burimeve detare, sigurinë e plazheve, luftën kundër aktiviteteve të paligjshme në det dhe drejtimin e strukturave për emergjencat civile detare.
Relacioni shpjegues argumenton se krijimi i Prefektit Detar është i domosdoshëm për shkak të intensifikimit të aktiviteteve turistike dhe ekonomike në bregdet, si dhe rritjes së rreziqeve mjedisore. Përmes kësaj strukture, qeveria synon një zbatim më të unifikuar të politikave shtetërore në zonat bregdetare dhe një raportim më të strukturuar pranë Këshillit të Ministrave për menaxhimin e integruar të bregdetit dhe sigurinë e plazheve.
Nga pikëpamja institucionale dhe kushtetuese, projektligji vlerësohet si në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin vendas, ndërsa nuk synon përafrim të drejtpërdrejtë me acquis të Bashkimit Evropian. Sa i përket kostos financiare, dokumenti parashikon efekte shtesë në buxhetin e shtetit për ngritjen e administratës së Prefektit Detar, por thekson se këto shpenzime do të përballohen brenda tavaneve buxhetore afatmesme 2026–2028, ndërsa detajimi i plotë do të bëhet në një fazë të mëvonshme.
Në tërësi, ndryshimet e propozuara synojnë të rrisin peshën institucionale të prefektit dhe të konsolidojnë rolin e shtetit në territor, në një përpjekje për të adresuar më me efikasitet sigurinë publike, emergjencat civile dhe sfidat specifike të zonave bregdetare, duke hapur një debat të ri mbi balancën mes pushtetit qendror dhe atij vendor në Shqipëri. /ekofin.al
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
Teatri që fsheh prapaskenën
Vija e kuqe e Berishës dhe vija e zezë e demokracisë në PD
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128


