Kreu i ILD, Artur Metani, vizitë në SHBA, takime me Departamentin e Drejtësisë

19 Prill 2026, 10:40 / AKTUALITET ALFA PRESS

Kreu i ILD, Artur Metani, vizitë në SHBA, takime me Departamentin e

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka mbajtur takime në Departamentin e Drejtësisë dhe me përfaqësues të institucioneve të sistemit të drejtësisë amerikane.

Gjatë vizitës, Metani ka diskutuar mbi rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në Shqipëri dhe rëndësinë e një gjyqësori të pavarur, por njëkohësisht të përgjegjshëm, si një element kyç për funksionimin e demokracisë.

Në zyrën e OPDAT, z. Metani u takua me Zëvendësdrejtorin George Huber dhe Drejtoren Rajonale për Evropën Pragna Soni. Gjatë këtyre takimeve Inspektori i Lartë i Drejtësisë u shoqërua nga Këshilltari Ligjor Rezident i OPDAT në Shqipëri, Dave Backman, si dhe nga inspektori z. Periand Teta.

Diskutimet u përqendruan në rritjen e standardeve të integritetit dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor në Shqipëri, si elemente thelbësore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë kontekst, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ndau pikëpamje mbi rëndësinë e forcimit të mekanizmave të inspektimit dhe llogaridhënies për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe nevojën për të garantuar standarde të larta etike dhe profesionale.

Metani theksoi gjithashtu se funksionimi i një sistemi gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe të përgjegjshëm përbën një element kyç në garantimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e demokracisë në Shqipëri. Bashkëbiseduesit vlerësuan progresin e arritur dhe shprehën gatishmërinë për të vijuar mbështetjen dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në drejtim të asistencës teknike, si dhe shkëmbimit të praktikave më të mira.

Këto takime përbëjnë një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e reformave në sistemin e drejtësisë, me synim rritjen e besimit të publikut dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.

Po ndodh...