Analiza e Reuters: SHBA-ja dhe Irani drejt arritjes së marrëveshjes bërthamore, jo shumë ndryshe nga ajo e vitit 2015!

2 Maj 2025, 15:57 / BOTA ALFA PRESS

Analiza e Reuters: SHBA-ja dhe Irani drejt arritjes së marrëveshjes

Negociatat midis Uashingtonit dhe Teheranit mbi programin bërthamor të Iranit po shkojnë drejt një marrëveshjeje që nuk diferencon shumë nga marrëveshja e vitit 2015 , të cilën Presidenti i SHBA-së Donald Trump e quajti ” si marrëveshja më e keqe në histori” dhe nga e cila u tërhoq vendi i tij gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2018, thanë për Reuters tetë zyrtarë dhe diplomatë nga të gjitha palët e negociatave.

Administrata Trump dhe iranianët zhvilluan tre raunde bisedimesh muajin e kaluar që synonin arritjen e një marrëveshjeje të re për të frenuar programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.

Një raund i katërt, i cili ishte planifikuar të zhvillohej në Romë të shtunën, do të shtyhet në një datë të re, njoftoi dje Omani, i cili ndërmjetësoi raundet e mëparshme të negociatave.

Një kornizë fillestare që po diskutohet ruan thelbin e marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore të vitit 2015 – e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA) – thanë burimet, duke folur për Reuters në kushte anonimiteti.

Një marrëveshje e re nuk ka gjasa të jetë rrënjësisht e ndryshme nga marrëveshja e vitit 2015.

Ndër ndryshimet do të ishte se marrëveshja do të zgjatej në 25 vjet, do të shtrëngohej verifikimi dhe do të zgjeroheshin të ashtuquajturat klauzola të përfundimit të procesit, të cilat ngrijnë, por nuk eliminojnë plotësisht, aspekte të programit bërthamor të Iranit, thanë të gjitha burimet.

Sipas kushteve që po diskutohen, Irani do të kufizonte madhësinë e rezervave të tij si dhe do të hollonte, nxirrte ose vuloste 60 përqind të rezervave të tij të uraniumit nën një shqyrtim të paprecedentë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) – në këmbim të një lehtësimi të konsiderueshëm të sanksioneve, thanë burimet.

Sipas propozimeve të diskutuara në raundet e bisedimeve në prill, Irani do ta kufizonte pasurimin në 3.67%, siç përcaktohet në JCPOA, thanë të gjitha burimet, përfshirë tre zyrtarë iranianë. Teherani është gjithashtu i hapur për t’i dhënë IAEA-s akses të zgjeruar në objektet e tij bërthamore, vunë në dukje burimet iraniane.

Propozimet nuk kërkojnë çmontimin e plotë të infrastrukturës bërthamore të Republikës Islamike, siç dëshirojnë Izraeli dhe disa zyrtarë amerikanë, por synojnë të vendosin kufizime të përhershme mbi pasurimin e uraniumit që do të parandalonin çdo rritje të ndjeshme të pasurimit.

Një tjetër kompromis i mundshëm mund të përfshijë Iranin që të mbajë pasurimin minimal , ndërsa importon uraniumin e pasuruar të mbetur, ndoshta nga Rusia.

Në këmbim të kufizimeve në pasurim, Teherani ka kërkuar garanci të palëkundura se Trump nuk do ta braktisë përsëri një marrëveshje bërthamore, theksuan tre zyrtarë iranianë.

Një burim i lartë rajonal tha se negociatat aktuale mbi rezervat e uraniumit të Iranit përqendrohen në faktin nëse Irani “do ta mbajë një pjesë të tij – të holluar – brenda vendit, ndërsa do të dërgojë një pjesë tjetër jashtë vendit, ndoshta në Rusi”.

Sipas burimit, Irani ka propozuar idenë e shitjes së uraniumit të pasuruar në SHBA.