Arrestohet në Dubai bosi krimit irlandez, Daniel Kinahan

18 Prill 2026, 17:34 / BOTA ALFA PRESS
Arrestohet në Dubai bosi krimit irlandez, Daniel Kinahan

Daniel Kinahan, i cilësuar prej autoriteteve ndërkombëtare si një figurë kyçe e krimit të organizuar, është arrestuar në Dubai në kuadër të një hetimi për aktivitete të rënda kriminale.

Sipas raportimeve, arrestimi është kryer mbi bazën e një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet irlandeze, ndërsa operacioni është realizuar nga Policia e Emirateve të Bashkuara Arabe pas një periudhe intensive survejimi dhe kërkimesh.

Autoritetet konfirmojnë se arrestimi erdhi pas dorëzimit të një dosjeje nga Irlanda, ku detajohen dyshimet për përfshirjen e Kinahan në një rrjet ndërkombëtar të krimit të organizuar. Prokuroria në Dubai ka nisur procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Irlandës.

An Garda Siochana (Shërbimet e Policisë Kombëtare dhe të Sigurisë Irlandeze) deklaroi se është në dijeni të arrestimit dhe e cilësoi atë si një shembull të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërkombëtar kundër krimit të organizuar ndërkufitar.

Ndërkohë, kryeministri irlandez Micheal Martin theksoi se arrestimi konfirmon funksionimin efektiv të marrëveshjes së ekstradimit mes Irlandës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kinahan ishte vendosur prej vitesh në Dubai dhe konsiderohej lider i një karteli të fuqishëm droge. Në vitin 2022, Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj tij dhe familjarëve të tij, duke i identifikuar si drejtues të një rrjeti kriminal global.

Përveç botës së krimit, ai kishte lidhje edhe me sportin përmes kompanisë së menaxhimit të boksit MTK Global, e cila përfaqësonte mbi 100 boksierë, përfshirë emra të njohur si Tyson Fury dhe Carl Frampton.

Emri i tij është lidhur edhe me konfliktin e përgjakshëm të njohur si Hutch-Kinahan feud, një përplasje mes grupeve kriminale në Irlandë që ka shkaktuar dhjetëra viktima ndër vite.

Autoritetet në Dubai kanë bërë të ditur se arrestimi është pjesë e përpjekjeve për të luftuar krimin ndërkombëtar, ndërsa procedurat për ekstradim pritet të vijojnë në ditët në vijim.

Po ndodh...