Zgjedhjet në Kosovë, ambasada e SHBA-së në Prishtinë: Synojmë të punojmë me Qeverinë e re për avancim të prioriteteve të përbashkëta

17 Dhjetor 2025, 17:31 / KOSOVA ALFA PRESS

Zgjedhjet në Kosovë, ambasada e SHBA-së në Prishtinë:

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë i tha të mërkurën Radios Evropa e Lirë (REL) se pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë synon të punojë ngushtë me Qeverinë e re të zgjedhur “për t’i avancuar prioritetet e përbashkëta”.

Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha në disa përgjigje me shkrim për REL-in se shpreson që “partneriteti ynë të thellohet me Qeverinë e Kosovës”, përfshirë edhe rinisjen e Dialogut të planifikuar Strategjik.

“Kjo do të kërkojë veprim për të avancuar agjendën tonë të përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet të ndërsjellë ekonomik”, tha zëdhënësi i Ambasadës amerikane.

Ky qëndrim i Ambasadës vjen pas deklaratave të bëra nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë një interviste në televizionin lokal Kanal 10 se raportet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe mospajtimet kryesore gjithmonë kanë qenë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.

Më 11 dhjetor, Kurti tha, po ashtu, se sa u përket mbrojtjes dhe sigurisë, raportet “kurrë nuk kanë qenë më të mira”.

Megjithatë, në shtator të këtij viti, SHBA-ja njoftoi për pezullim për një kohë të pacaktuar të Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.

Nga Ambasada amerikane po ashtu thanë se janë të “zhgënjyer nga veprimet” e Kurtit, duke theksuar se qëndrimet e tij kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë.

Dialogu ishte planifikuar që të forconte raportet ekonomike dhe diplomatike, por veprimet e Kurtit u panë si sfida për përparim.

Disa analistë politikë patën komentuar atëbotë se pezullimi ishte paralajmërim se mbështetja ndërkombëtare për Kurtin dhe Qeverinë e tij po zbehet.

Kurti fillimisht kishte pranuar se ekzistonin disa dallime me SHBA-në, por raportet me Uashingtonin nuk ishin prishur. Më pas, më 28 shtator tha se arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik ishte për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, “i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise”.

Dialogu Strategjik, që SHBA-ja zhvillon me shtete të tjera, përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, e të tjera.

Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998. Uashingtoni konsiderohet si partneri më i rëndësishëm i Kosovës dhe mbështetja e tij vlerësohet jetike për vendin.

Viteve të fundit, Kurti, që është në pushtet që nga fitorja në zgjedhje më 2021, është kritikuar disa herë nga faktori ndërkombëtar për shkak të disa vendimeve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, që kishin të bënin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen nga përdorimi i dinarit serb dhe mbylljen e institucioneve serbe.

Ai ka thënë se këto veprime janë në kuadër të shtrirjes së sundimit të ligjit në veri, duke theksuar se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Megjithatë, SHBA-ja dhe qendrat evropiane i kanë cilësuar shpesh këto si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara./ REL

Po ndodh...