Jamal i kthehet premtimit për Champions-in: Ta shijojmë këtë moment, titulli i Barcelonës

12 Maj 2025, 12:55 / SPORT ALFA PRESS

Jamal i kthehet premtimit për Champions-in: Ta shijojmë këtë

Barcelona ka mundur Realin e Madridit në një “El Clasico” të mrekullueshme, 4-3. Pas asaj përballjeje epike me Interin në Ligën e Kampioneve në mesjavë, ku u mund 3-4 pas 120 minutash, Barcelona ka qenë në gjendje të prodhojë kundër Realit një tjetër ndeshje nga ato që futen në librat e historisë.

Një tjetër 4-3, por që këtë herë u ka buzëqeshur lojtarëve të Hansi Flik, që me këtë fitore kundër rivalëve të tyre kanë vënë një dorë te titulli kampion. Protagonist absolut në suksesin e Barcelonës ka qenë dhe ylli 17- vjeçar i saj, Lamin Jamal. Pa iu futur shumë çdo prekjeje të topit prej tij, mjafton më shumë se një asist dhe një gol, ai i 2-2 që riktheu baraspeshën pas një nisje “flakë” të Realit me dy gola nga Mbape. Vetë Jamal ka folur për mediat, duke thekuar rëndësinë e këtij takimi dhe fitores, veçanërisht pas dramës në mesjavë në Ligën e Kampioneve.

“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. E dinim se çfarë mund të ndodhte në rast të një suksesi dhe jemi të lumtur. Kemi krijuar një distancë shumë të rëndësishme me tri ndeshje të mbetura. Pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve, tifozët e kanë harruar tashmë, dhe ne gjithashtu. Le ta shijojmë tani këtë fitore të madhe ndaj Realit”, tha ai.

KRITIKAT – Gjithsesi, Jamal ka qenë autokritik, pasi skuadra vazhdon të pësojë shumë. Por që për fat këtë herë golat e pësuar nuk kanë rënduar. “Duhet t’i korrigjojmë ata gola që pësuam në fillim, por edhe në fund. Ata nuk krijuan asnjë shans të pastër. Tani mund ta shijojmë. Jemi shumë, shumë të lumtur. Por kemi dhe punë për të bërë”, tha Jamal. Spanjolli ka falënderuar dhe tifozët, ndonëse do të kishte dashur që titullin ta festonte në “Camp Nou”. “Është diçka shumë e veçantë. Ne nuk ishim në gjendje të luanim në ‘Camp Nou’, dhe ata na mbështetën këtu. Jemi shumë mirënjohës ndaj këtyre tifozëve”.

LIGA E KAMPIONEVE – Barcelona kishte ëndërruar deri në fund me tripletën. Në fund, katalanasit nuk do ta fitojnë dot atë. Por gjasat janë që do të fitojnë titullin në La Liga së bashku me Kupën e Mbretit të fituar tashmë. Por fiksimi i blaugranave mbetet Liga e Kampioneve. Dhe Jamal premton se do ta kthejë në “Camp Nou”. “Liga e Kampionëve është vit pas viti. Do të përpiqemi derisa të fitojmë. Ishte e rëndësishme të fitonim ndaj Realit për t’iu afruar titullit të ligës”, tha ai.

 

Po ndodh...