Ambasadori i BE takim me prokurorët e Fierit dhe SPAK, Gonzato: Marrëveshja kundër krimeve zgjedhore po zbatohet

11 Maj 2025, 18:45 / AKTUALITET ALFA PRESS

Ambasadori i BE takim me prokurorët e Fierit dhe SPAK, Gonzato:

Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato vizitoi sot Prokurorinë e Fierit për t’u njohur nga afër me situatën zgjedhore, ndërsa i bëri apel shqiptarëve që të dalin të votojnë.

Në një prononcim për mediet nga Fieri, ambasadori Gonzato e konsideroi ditën e sotme, shumë të rëndësishme.

“Kam një mesazh për zgjedhësit, për votuesit shqiptarë që dita e sotme është një ditë shumë e rëndësishme në veçanti edhe për sa u përket zgjedhjeve që po ndodhin për herë të parë pas fillimit të negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë. Janë negociata serioze këto që po ndodhin, prandaj po, është mesazhi që shqiptarët të dalin të votojnë”, u shpreh ai.

Gonzato theksoi se nuk po bën vëzhgim zgjedhor, por po shkon në zona të ndryshme dhe në qendra të ndryshme votimi për të parë se si po ecën votimi dhe për të krijuar edhe një ndjesi vetë se si po ecin zgjedhjet, duke qenë aty i pranishëm.

“Në fakt misioni i vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it është në Shqipëri. Ata kanë vëzhguesit e tyre në të gjithë vendin dhe ata po bëjnë një vëzhgim shumë të thellë të këtyre zgjedhjeve në të gjithë Shqipërinë. Që do të thotë se ata po vëzhgojnë zgjedhjet, po shikojnë se çfarë po ndodh, çfarëdolloj raportimi që u bëhet atyre do të analizohet thellësisht dhe pastaj ata do të japin gjetjet dhe rekomandimet e tyre”, shtoi ai.

Ambasadori Gonzato theksoi se do të jetë pikërisht ky raport që do të orientojë edhe atë analizë që do t’i bëjmë në zgjedhjeve në Shqipëri.

I pyetur mbi situatën në qarkun e Fierit, Gonzato tha se sapo ka arritur në qarkun e Fierit
dhe nuk do të bëjë komente për ndonjë incident që mund të ketë ndodhur.

“Arsyeja pse erdha në Fier është sepse dëshiroja të takohesha me Prokurorinë e Posaçme për të parë punën që po bëjnë. Kjo për arsye se dëshiroja të shikoja në mënyrë të veçantë se si po ecën zbatimi i marrëveshjes së mirëkuptimit ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK por edhe KQZ-së”, bëri të ditur ambasadori.

Gonzato theksoi se nga takimet me ta ndjesia që ka marrë është që kjo marrëveshje po zbatohet në mënyrën më të mirë të mundshme, në një bashkëpunim të afërt të këtyre institucioneve, që do të thotë që gjërat po ecin ashtu siç duhet.

“Nëse ka incidente atëherë ato do të hetohen nga autoritetet vendase, kështu që do të duhet të presim”, tha ai.

Pyetjes se përse zgjodhi Fierin për ta vizituar, ambasadori iu përgjigj duke theksuar se nuk donte që të mbetej vetëm në Tiranë, ndërsa më parë ka qenë edhe në Durrës.

“Unë isha edhe në Durrës, sepse ka pasur informacione edhe për sa i përket bandave kriminale. Patëm informacione të tjera edhe për në Fier, kështu që vendosa që të vija në Fier. Fakti që ne jemi këtu nuk do të thotë asnjë gjë, sepse janë autoritetet ato që do të hetojnë, por ne kemi ardhur të shikojmë gjithsesi se cila është situata”, tha ai.

 

Po ndodh...