Autorë të disa vjedhjeve me armë dhe dhunë, dy të arrestuar në Durrës

Policia e Durrësit ka vënë në pranga këtë të shtunë dy persona, pasi janë autorë të disa vjedhjeve.
Në pranga ka rënë Marvin Ferra, 21 vjeç, i cili një ditë më parë ka hyrë i maskuar dhe me armë zjarri automatike për të vjedhur në oborrin e banesës së shtetases M. K., në fshatin Radë.
Ndërkohë, i arrestuari tjetër, shtetasi Rezi Kruta, 51 vjeç, i cili në bashkëpunim me shtetasin T. M., i cili është arrestuar dje në Tiranë, në dy raste kanë vjedhur me dhunë, në fshatin Shënvlash dhe në zonën e Rinasit, dy shtetas që i transportonte me automjetin e tij taksi.
“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Rada”, nga shërbimet operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit M. F., 21 vjeç, banues në fshatin Mafsheq, Krujë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, më datë 19.06.2026, rreth orës 02:30, ky shtetas, i maskuar dhe me armë zjarri automatike, ka hyrë për të vjedhur në oborrin e banesës së shtetases M. K., në fshatin Radë.
Gjatë operacionit, në zonën e Krujës, 21-vjeçari ka tentuar të largohet, por është neutralizuar nga shërbimet e Policisë.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dy armë zjarri.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëpunëtori”, të zhvilluar dhe finalizuar nga shërbimet e DVP Durrës, u bë identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit R. K., 51 vjeç, banues në Tiranë.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me shtetasin T. M. (i arrestuar dje në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Taksimetri”), në dy raste ka vjedhur me dhunë, në fshatin Shënvlash dhe në zonën e Rinasit, dy shtetas që i transportonte me automjetin e tij taksi.
Nga veprimet e thelluara hetimore dhe analizimi i pamjeve filmike është bërë i mundur dokumentimi ligjor i ngjarjeve, ku shtetasi R. K. shërbente si transportues i shtetasit T. M., i cili vidhte me dhunë taksistë të tjerë në qytete të ndryshme, si Tiranë, Krujë dhe Durrës.
Gjatë kontrollit të banesës dhe garazhit të shtetasit të lartpërmendur janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që e lidhin me këto ngjarje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet për ngjarjet e mësipërme iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Po ndodh...
Çfarë tha e nuk i doli!
ide
Zoti Rama, Algoritmi është pasojë!
Botërori, më shumë se futboll
Rama e Berisha, sa qesharakë përballë protestës!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128