Gazeta greke Kathimerini: Dy autobusë u nisën nga Athina në drejtim të Zvërnecit për protestën e të shtunës!

1 Qershor 2026, 14:15 / AKTUALITET ALFA PRESS

Gazeta greke Kathimerini: Dy autobusë u nisën nga Athina në

Takimi me përfaqësuesit e shoqatës së Zvërnecit në Athinë ishte caktuar rreth një javë më parë me nismën e palës shqiptare, me synimin për të “zgjidhur keqkuptimin” rreth investimit turistik të planifikuar prej 4 miliardë dollarësh në veri të fshatit të tyre.

Përpjekja për afrim u bë pasi në bregdetin shqiptar ishte vendosur një gardh me tela me gjemba. Të shtunën, gjatë një grumbullimi të banorëve në atë zonë, ndodhën incidente të rënda, ku një protestues u rrah.

Rrethimi bllokoi hyrjen në plazhe dhe në tokat që dikur i punonin banorët vendas – një tokë për pronësinë e së cilës ata po zhvillojnë beteja gjyqësore prej vitesh. Për komunitetin lokal, gardhi ishte një “demonstrim force” nga interesat e biznesit. Ata nuk kishin pritshmëri të mëdha nga takimi i planifikuar në Athinë.

Vonë pasdite të mërkurën e kaluar, rreth dhjetë emigrantë nga Zvërneci pritën në Ilion të Atikës kryetaren e Bashkisë së Vlorës, një ndihmës të saj dhe dy avokatë nga pala e investitorëve. Sipas banorëve, biseda zgjati rreth dy orë, por nuk solli ndonjë rezultat.

Ishte tashmë e njohur se ata planifikonin të protestonin të shtunën, më 30 maj, para gardhit dhe pala tjetër dëshironte të zbuste reagimet e tyre.

“Qëllimi i tyre ishte të mos zhvillohej protesta. Na thoshin se donin të na mbronin, që të mos ndodhte ndonjë incident”, thotë për gazetën “Kathimerini” Aleksandros Poulas, i cili mori pjesë në atë takim.

Më shumë se 300 persona morën pjesë në protestën e së shtunës. Nga Athina u nisën të premten në mbrëmje dy autobusë, ndërsa pjesëmarrës të tjerë udhëtuan nga qytete të ndryshme të Greqisë me automjetet e tyre.

“Kur iu afruam gardhit, i lamë protestuesit rreth dhjetë metra pas dhe së bashku me kryetarin e fshatit, Kostas Konomi, biseduam me drejtuesin e policisë”, thotë z. Poulas.

Sipas tij, ata kërkuan të kalonin gardhin, të protestonin për rreth 15 minuta brenda zonës së bllokuar dhe më pas të largoheshin. Do të ishte një veprim simbolik.

“Nuk do të hynim për të shkatërruar. Në zonë ende nuk ishte ndërtuar asgjë dhe nuk kishte makineri pune”, thekson ai.

Megjithatë, pas gardhit ishin mbledhur burra të veshur me të zeza, pa shenja identifikuese, të cilët dukeshin si pjesëtarë të një kompanie private sigurie. Sipas dëshmive të banorëve, disa prej tyre i kërcënonin, i filmonin me telefonat e tyre dhe mbanin shkopinj gome. “Ishin aty vetëm për të na frikësuar”, thotë z. Poulas.

Siç shihet në videot që qarkulluan më vonë në internet, një nga protestuesit u ndal në një pjesë ku nuk kishte gardh, por vetëm tela me gjemba.

Ai hipi mbi telat dhe foli me policët.

Në videot shihet se si burra pa shenja identifikuese e tërheqin me forcë, e godasin dhe e zvarrisin në tokë për dhjetëra metra, ndërsa policët nuk ndërhyjnë.

Vetëm pas protestave të pjesëmarrësve, dy oficerë të policisë shqiptare ndërhynë dhe e afruan të plagosurin pranë tyre.

Pasi fillimisht u dërgua në spitalin e Vlorës, ai u largua nga Shqipëria dhe u transportua në spitalin e Janinës, nga ku u lirua të dielën. Ministria e Jashtme e Greqisë paraqiti një notë proteste ndaj qeverisë shqiptare për plagosjen e shtetasit grek.

Në një postim në rrjetin X, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se investimi është “një projekt i shkëlqyer për Shqipërinë, i cili ka vite që po zhvillohet dhe nuk ka asnjë lidhje me gënjeshtrat e mëdha që po qarkullojnë ditët e fundit”.

Ai gjithashtu përgëzoi drejtuesit e policisë “për reagimin e tyre të shpejtë dhe të saktë, si ndaj kësaj bande të pamend me statusin e rojeve private të sigurisë, ashtu edhe ndaj drejtuesve lokalë të policisë së Vlorës”.

Për këtë zonë ka shprehur prej vitesh interes investimi Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump. Janarin e kaluar ai vizitoi plazhet pranë Zvërnecit dhe lagunën e Nartës së bashku me bashkëshorten e tij, Ivanka Trump, të shoqëruar nga arkitektë dhe biznesmenë.

Rrethimi dhe punimet e para rrugore në zonë po kryhen nga Zvërnec South Adriatic Development. Në dokumentet e kompanisë nuk figuron emri i Kushnerit dhe, sipas raportimeve, ajo lidhet me një kompani offshore në Holandë. Një rrjet i gjerë kompanish duket se është i përfshirë në këtë investim, me pjesëmarrjen edhe të biznesmenëve nga Shqipëria.

Para incidenteve, një avokat që përfaqësonte investitorët dhe që mori pjesë në takimin e Athinës foli për gazetën “Kathimerini”.

Ai e cilësoi takimin me emigrantët e Zvërnecit si “miqësor” dhe argumentoi se qëllimi kryesor i gardhit rrethues ishte “garantimi i sigurisë publike, pasi kantieret aktive paraqesin rreziqe për personat që nuk janë të trajnuar dhe nuk kanë pajisjet e nevojshme”.

Në një deklaratë të re, kompania Zvërnec South Adriatic Development njoftoi se po ndërpret bashkëpunimin me kompaninë private të sigurisë pas incidenteve të së shtunës.

Për rrahjen e protestuesit është kryer të paktën një arrestim. Dje u mbajt një protestë masive në Tiranë kundër investimit.

Banorët e Zvërnecit theksojnë se nuk janë kundër investimeve apo zhvillimit, por kërkojnë respekt për mjedisin dhe zgjidhjen ligjore të çështjes së pronësisë së tokave të tyre përpara se të vazhdojë projekti.

Z. Poulas thotë se pas incidenteve pati reagim të menjëhershëm nga autoritetet konsullore greke dhe nga eurodeputeti Fredi Beleri.

Për të njëjtën çështje, javët e fundit janë zhvilluar protesta në Tiranë dhe Vlorë edhe nga organizata mjedisore, të cilat shprehin shqetësimin për dëmtimin e zonës së mbrojtur pranë lagunës së Nartës./Marrë nga gazeta greke Kathimerini, përshtati në shqip VoxNews

Po ndodh...