Kuvendi i izolimit të madh të Sali Berishës

31 Maj 2026, 14:08 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA
Kuvendi i izolimit të madh të Sali Berishës

Kuvendi i Partisë Demokratike konfirmoi edhe një herë izolimin e thellë politik të Sali Berishës, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Një parti që pretendon të qeverisë Shqipërinë nuk arriti të sjellë asnjë personalitet me peshë nga politika shqiptare apo ndërkombëtare, asnjë figurë të rëndësishme që të përcillte një mesazh besimi për të ardhmen e saj.

Përkundrazi, dëshpërimi ishte i dukshëm pas çdo përshëndetjeje. Në vend të mbështetjes nga figura me ndikim, kuvendi u mjaftua me pjesëmarrjen e një deputeti grek, një deputeti maqedonas nga forca politike që akuzohen për qëndrime kundër të drejtave të shqiptarëve dhe një ish-kongresmeni amerikan. Një nivel që duket larg pritshmërive për një forcë politike që pretendon të marrë drejtimin e vendit.

I vetmi emër me njëfarë peshe politike ishte Peter Beyer. Megjithatë, edhe ai u rikthye në deklaratat e vitit 2022, kur kishte theksuar se nuk mund të kishte bashkëpunim me persona të shpallur “non grata”. Në vitin 2025 ai shprehu mbështetje për PD-në, por duket se, si shumë politikanë të tjerë europianë, kishte besuar se pas humbjes së zgjedhjeve Berisha do të largohej dhe do t’i hapte rrugë një drejtimi të ri.

Sot situata është krejt tjetër. Berisha nuk takohet nga figura të rëndësishme ndërkombëtare, nuk merr urime apo mbështetje publike nga familjet e mëdha politike europiane. Mjafton të kujtohet se në vitin 2021, Lulzim Basha, u urua zyrtarisht nga Partia Popullore Evropiane, madje edhe me publikime në rrjetet sociale. Sot, një gjë e tillë mungon plotësisht për Berishën.

Atmosfera e kuvendit ngjante më shumë me mbledhjet e pleniumeve të Partisë së Punës, ku çdo zë kritik mungonte dhe të gjithë duhej të shfaqeshin të lumtur me partinë dhe udhëheqësin e saj. Në vend të reflektimit pas humbjes, pati vetëm lavdërime dhe konfirmim të status quo-së.

Por sinjali më i qartë se PD-ja rrezikon të bëhet më e vogël pas këtij kuvendi ishte vendimi për të goditur çdo zë alternativ brenda partisë. Berisha sulmoi dhe përjashtoi politikisht ata që morën pjesë në takimet e Ervin Salianji, duke treguar se prioriteti nuk është zgjerimi i opozitës, por kontrolli absolut i partisë.

Kjo krijon përshtypjen se Berisha është i interesuar kryesisht të mbajë logon dhe strukturat e PD-së për betejën e tij personale. Fakti që partia po tkurret politikisht, po humbet mbështetje dhe po bëhet gjithnjë e më pak relevante në arenën ndërkombëtare, nuk duket se e shqetëson.

Berisha e di se me sanksionet britanike dhe amerikane shanset e tij për t’u konsideruar një partner i besueshëm nga Perëndimi janë minimale. Vetë autoritetet britanike kanë theksuar se masat ndaj tij janë të bazuara në procedura ligjore dhe jo në vendime politike. Në këto kushte, perspektiva që ai të rikthehet si kryeministër apo të sigurojë mbështetje serioze ndërkombëtare duket pothuajse e pamundur.

Në fund, ky kuvend nuk dha një vizion të ri për opozitën shqiptare. Përkundrazi, dha imazhin e një partie të mbyllur në vetvete, të përqendruar te mbijetesa politike e një njeriu të vetëm. Dhe sa më shumë që PD-ja identifikohet me fatin personal të Sali Berishës, aq më shumë rrezikon të largohet nga roli i saj si alternativa kryesore e qeverisjes në Shqipëri./Alfapress.al

Po ndodh...

ide