“Metamorfoza”/ GJKKO ndan dosjen për Pëllumb Gjokën, gjykim i shkurtuar vetëm për 4 të akuzuar

7 Maj 2025, 16:50 / AKTUALITET ALFA PRESS

“Metamorfoza”/ GJKKO ndan dosjen për Pëllumb Gjokën,

Gjykata e Posaçme ka ndarë çështjen penale për dosjen “Metamorfoza”, ku të pandehur janë marrë ish-prokurorë, ish-zyrtarë policie dhe persona të dyshuar si anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal.

GJKKO ka pranuar pjesërisht kërkesën për gjykim të shkurtuar. Dosja për biznesmenin Pëllumb Gjokën, ish-efektivin e policisë  Edmond Preka dhe Behar Brajoviç alias Bajri, duke qenë se kanë vepra më të rënda penale se të akuzuarit e tjerë, është ndarë më vete dhe të tre këta do gjykohen me procedurë të zakonshme.

Ndërkohë, ish-prokurori Xhevahir Lita, Ardit Hasanbegaj, Astmer Bilali dhe ish shefi i Operacionales Oltian Bistri do gjykohen me procedurë të shkurtuar.

Vendimi është dhënë nga treshja e gjyqtarëve Etleva Deda, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka.

Për personat e tjerë nën hetim për të cilët nuk janë ekzekutuar akoma masat e sigurimit të miratuara nga GJKKO, për fakte të tjera kriminale, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në aktivitete kriminale, që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore të kryera në këtë procedim penal, është është ndarë çështja penale dhe vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake.

Në seancën e radhës, më datë 19 maj ora 15:00, SPAK do japë konkluzionet përfundimtare për personat që do gjykohen me procedurën e shkurtuar.

Biznesmeni Pëllumb Gjoka u arrestua më 27 Korrik të vitit 2023, në bazë të një hetimi të zhvilluar nga SPAK. Bashkë me Pëllumb Gjokën u arrestuan edhe prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita, ish-shefi i operacionales së Policisë së Shtetit, Oltion Bistri dhe personazhe të tjerë të kronikës së zezë në zonën e Shkodrës.

Ata akuzohen si pjesë e një grupi kriminal dhe mbi ta rëndojnë akuza të ndryshme, nga vrasja, sigurimi i kushteve dhe mjeteve për kryerje vrasjeje, korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash e të tjerë.

Hetimi për këtë grup personash nisi, pasi SPAK administroi nga autoritetet franceze dhe belge të dhënat e ç’koduara nga aplikacionet Sky dhe Enchrochat.

Sipas SPAK-ut, Pëllumb Gjoka rezulton të ketë komunikuar me mesazhe me anëtarë të fisit Bajri në Shkodër për kryerje atentatesh, përfshirë pagesa për ekzekutorët dhe financim për blerje armësh.

Pëllumb Gjoka dhe të tjerët kanë kundërshtuar provat e Prokurorisë së Posaçme, duke vënë në pikepyetje edhe vlefshmërinë e marrjes dhe përdorimit të mesazheve nga “Sky Ecc” në procese penale në Shqipëri. Kërkesa e biznesmenit Gjoka është rrëzuar në tre shkallët e gjyqësorit, si dhe në Gjykatën Kushtetuese.

 

Po ndodh...