I akuzuar si lidhje e ngushtë e Edi Ramës, Gjykata i merr pasaportën biznesmenit të ndërtimit Pandeli Carapuli

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me hetimin e nisur nga prokurori Julian Xhengo, i cili ka kërkuar masa sigurie ndaj disa personave të përfshirë në çështje që lidhen me ndërtimet pa leje në Tiranë, konkretisht për ndërtimin e një muri tek mbikalimi i Saukut në Unaze të Re
Gjykata e Tiranës ka vendosur pezullimin nga detyra të kreut të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Rigers Sheqeri, një masë që është ekzekutuar disa ditë më parë. Ndërkohë mësohet se po me kërkesë të prokurorit Xhengo, gjykata ka vendosur ndaj biznesmenit të përfolur në medie dhe të akuzuar nga PD si lidhje e ngushtë e familjes së kryeminidtrit Rama, Pandeli Carapuli, masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Carapuli, i njohur në fushën e ndërtimit dhe investimeve, dyshohet se ka përfituar një leje për punime të kufizuara, por që në praktikë është tejkaluar.
“Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u caktuan masat e sigurimit ‘Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për shtetasit E.P. dhe R.Sh nën akuzë për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal. Ndërsa për shtetasin P.C., i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Ndërtim i paligjshëm’, u kërkuan masat e sigurimit ‘Ndalim i daljes jashtë shtetit’ dhe detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore parashikuar nga neni 199/a, prg.3 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas burimeve hetimore, atij i ishte dhënë një leje për vendosjen e një barriere provizore në zonën e mbikalimit të Saukut, në Unazën e Re. Megjithatë, verifikimet në terren kanë konstatuar ndërtimin e një muri betoni rreth 120 metra të gjatë dhe 4 metra të lartë, duke ngritur dyshime për tejkalim të lejes së miratuar.
Hetimet paraprake tregojnë se ky rast mund të mos jetë i izoluar. Prokuroria po shqyrton mundësinë e një skeme më të gjerë, ku dyshohet për bashkëpunim mes funksionarëve publikë dhe përfaqësuesve të biznesit për të shmangur procedurat ligjore në sektorin e ndërtimit.
Në të njëjtin vendim, gjykata ka shpallur në kërkim edhe dy inspektorë të IMT-së, çka shton dyshimet për një rrjet të strukturuar brenda institucionit. Sipas hetuesve, ky rrjet mund të ketë favorizuar ose toleruar ndërtime pa leje, në kundërshtim me ligjin.

Ndaj Sheqerit rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës”, pasi dyshohet se ka lejuar ndërtime të paligjshme në zona periferike të Tiranës, ndërkohë që në zona të tjera, kryesisht në qendër, janë ndërmarrë aksione për prishjen e objekteve.
Nga ana tjetër, Pandeli Carapuli rezulton një figurë aktive në botën e biznesit. Ai zotëron 100% të aksioneve në kompaninë “EUROCOL”, e cila operon në fusha të ndryshme si ndërtimi, import-eksporti, tregtia dhe transporti, si dhe investimet në prodhim dhe shërbime, përfshirë edhe menaxhimin e stacioneve të plazhit.
Gjithashtu, ai ka 25% të aksioneve në një kompani tjetër që merret me prodhimin e materialeve për sinjalistikën dhe sigurinë rrugore, si dhe zbatimin e projekteve infrastrukturore në këtë fushë.
Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se hetimet vijojnë dhe pritet të thellohen më tej, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së personave të tjerë apo ngritjes së akuzave të reja në vijim.
*Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë!
Njoftimi i plotë:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u caktuan masat e sigurimit ‘Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për shtetasit E.P. dhe R.Sh nën akuzë për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal. Ndërsa për shtetasin P.C., i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Ndërtim i paligjshëm’, u kërkuan masat e sigurimit ‘Ndalim i daljes jashtë shtetit’ dhe detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore parashikuar nga neni 199/a, prg.3 i Kodit Penal.
Në vijim të hetimeve të kryera në lidhje me procedimin penal Nr.337/2026, mbi bazën e kallëzimit të bërë nga shtetasi A.A., administrator i shoqërisë “AL OIL 2019”sh.p.k., i cili pretendoi se në pronën e kësaj shoqërie, janë kryer punime që kanë sjellë si pasojë dëmtimin e saj si dhe punime ndërtimi pa leje, rezultoi se për punimet e ndërtimit objekt hetimi ndodhur në Njësinë Administrative Farkë dhe e regjistruar pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-Tirana Rurale 1, është e nevojshme pajisja me leje ndërtimi dhe se shoqëria “Eurocol”sh.p.k. nuk ka qenë e pajisur me një leje të tillë.
Po kështu, rezultoi se punojësit e IMT pranë Bashkisë Tiranë, fillimisht kanë mbajtur Proçes-Verbalin për konstatimin e kundërvajtjes Nr. 8331”, datë 29.12.2025, në të cilin është konstatuar një fakt i tillë, ndërsa më pas, Kryeinspektori i këtij institucioni R. Sh., duke u bazuar edhe në relacionin e përgatitur nga juristi E.P., ka vendosur mbylljen e procedurës, në kundërshtim me ligjin, pa marrë ndaj subjektit ndërtues asnjë nga masat administrative të parashikuara nga Neni 5 i ligjit Nr. 9780, datë 16.07.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”. Në këtë rast ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit R.Sh. dhe E. P., kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Në rast konstatimi të një ndërtimi pa leje, inspektorët e terrenit evidentojnë shkeljen dhe hartojnë procesverbalin përkatës, praktika i kalon sektorit juridik për verifikim dhe përgatitje të relacionit dhe projektvendimit, ndërsa Kryeinspektori, si autoritet vendimmarrës, shqyrton praktikën dhe merr vendimin përfundimtar, duke vendosur masat administrative të detyrueshme, konkretisht pezullimin e punimeve, vendosjen e gjobës dhe prishjen e ndërtimit, veprime që nuk janë kryer nga shtetasit e mësipërm.
Po kështu, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe konkluzionet e aktit të ekspertimit Teknik, rezulton se shtetasi P.C., në cilësinë e administratorit të shoqërisë “EUROCOL” sh.p.k., ka kryer veprën penale të parashikuar nga neni 199/a, prg.3 i Kodit Penal. Këtë vepër penale ai e ka kryer nëpërmjet veprimeve të kundërligjshme që konsistojnë në ndërtimin e konstruksionit mur – betonarme të përshkruar më sipër pa patur leje ndërtimi për një gjë të tillë.
Ashtu si është sqaruar më sipër, shoqëria në fjalë ka patur një leje punimesh për ndërhyrje në infrastrukturë dhe për vendosjen e barrierave ndaj zhurmave, e cila në mënyrë të shprehur nuk mbulon ndërtimin e objekteve që kërkojnë leje ndërtimi, duke përjashtuar kështu çdo justifikim ligjor për ndërtimin konkret të realizuar.
Po ndodh...
ide
Rama-Berisha, nga burra shteti në Kameleon!
PD-ja, si Firmë Piramidale!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
