Pas dorëheqjes së Florenc Dokës, Edmond Llabani emërohet drejtor i komanduar i burgut të Peqinit

24 Prill 2025, 16:58 / AKTUALITET ALFA PRESS

Pas dorëheqjes së Florenc Dokës, Edmond Llabani emërohet

Pas dorëheqjes së papritur të Florenc Dokës, Edmond Llabani është emëruar drejtor i komanduar i burgut të Peqinit, deri në përzgjedhjen e një drejtori të ri.

Vendimi për komandimin e tij është marrë nga Ministria e Drejtësisë, duke vlerësuar përvojën dhe angazhimin e tij të gjatë në këtë institucion.

Llabani është një emër i njohur në fushën e drejtësisë dhe administratës publike. Ai ka shërbyer për një kohë të gjatë si zëvendësdrejtor i IEVP Peqin.

Po ashtu, më herët ai ka mbajtur edhe postin e shefit të policisë brenda këtij institucioni.

Kujtojmë se Florenc Doka ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij ditën e sotme, 24 prill, për arsye ende të pa qarta. Florenc Doka ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën e tij për dorëheqje, e cila është pranuar dhe miratuar nga Ministri i Drejtësisë.

Dorëheqja vjen në një moment kur institucioni që ai drejtonte ka qenë pjesë e vëmendjes për çështje të ndryshme që lidhen me administrimin dhe funksionimin e burgjeve në vend, megjithatë nuk ka të dhëna që e lidhin këtë vendim me ndonjë ngjarje të veçantë.

Florenc Doka kishte një eksperiencë disa-vjeçare në sistemin penitenciar dhe gjatë kohës së drejtimit të IEVP Peqin ka qenë i angazhuar në implementimin e disa masave reformuese në këtë institucion.

Ministria, nga ana e saj, ka theksuar se do të vijojë të monitorojë nga afër funksionimin e IEVP-ve në të gjithë vendin dhe të ndërmarrë masa për përmirësimin e kushteve dhe standardeve të administrimit të tyre.

 

ide