Të shtënat me armë në Shkodër, kush është i shumëkërkuari që u shpëtoi “nga duart” policëve

9 Mars 2026, 17:34 / AKTUALITET ALFA PRESS

Të shtënat me armë në Shkodër, kush është i

Një incident me armë zjarri u raportua mesditën e sotme në Shkodër, ku një person i shpallur në kërkim ka arritur t’i shpëtojë policisë gjatë operacionit policor.

Sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për shtetasin Barush Bregu, i njohur edhe si Bajram Bregu. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Kiras, ku një patrullë policie i ka bërë thirrje një automjeti të ndalonte për kontroll. Në momentin që efektivët janë vënë në ndjekje të mjetit, pasagjeri Bregu, ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe më pas ka arritur të largohet. Ndërsa shoferi i mjetit, emri i të cilit nuk është bërë me dije është arrestuar nga Policia.

Bregu konsiderohet nga autoritetet si një person me precedentë penalë dhe i lidhur me familjen Ibrahim Lici. Ai rezulton i shpallur në kërkim edhe për përfshirje të dyshuar në një atentat të ndodhur më parë në Shkodër, ku humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa mbetën të plagosur Erogen Vaso (alias Brajoviç) dhe kamarierja Meri Kaceri. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka siguruar armët dhe mjetet e përdorura në atë ngjarje.

Emri i tij është i njohur për policinë prej vitesh. Në vitin 2016 ai u dënua me katër vite burg për kultivim të bimëve narkotike në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Dy vite më vonë, gjatë një kontrolli në banesën e tij, policia gjeti një automatik kallashnikov, ndërsa në maj të vitit 2019 u arrestua sërish pasi ishte shpallur në kërkim për disa akuza të rënda.

Autoritetet e konsiderojnë Bregun një nga personat e fortë të botës kriminale në Shkodër dhe një bashkëpunëtor të afërt të Ibrahim Lici, i dyshuar si autor i vrasjes së dyfishtë të vëllezërve Astrit Bilali dhe Brahim Bilali më 30 mars. Familja Lici prej kohësh përflitet për përplasje me grupin kriminal Bajri.

Sipas hetuesve, Bregu dyshohet se ka ndihmuar Licin në disa ngjarje kriminale, duke qenë pjesë e lëvizjeve dhe aktiviteteve të tij. Edhe më herët ai ka arritur t’i shpëtojë policisë gjatë një ndjekjeje në Shkodër, duke përplasur me automjetin e tij dy patrulla policie.

Emri i tij është përmendur gjithashtu edhe në atentatin ndaj Elis Rroshkodoli, i cili u qëllua me breshëri arme ndërsa ndodhej në një lokal në zonën e Zdrales.

Konflikti mes palëve ka rrënjë të vjetra. Në vitin 2010, Rroshkodoli kishte plagosur me armë zjarri Hysni Bregu, babain e Barush Bregut, një episod që sipas burimeve konsiderohet si një nga fillesat e përplasjes mes grupeve rivale.

Po ndodh...

ide