
Hakmerret India, vendos të ndërpresë furnizimin me ujë për Pakistanin! Përshkallëzohet konfrontimi midis dy vendeve

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka njoftuar se India do të ndërpresë rrjedhën e ujit që buron nga territori indian dhe që aktualisht furnizon Pakistanin, si një akt hakmarrjeje për sulmin e përgjakshëm të ndodhur në fund të prillit në Kashmirin indian.
“Uji që i përket Indisë ka rrjedhur për vite me radhë jashtë vendit. Nga tani do ta ndalim këtë dhe do ta përdorim për të përmbushur interesat e Indisë,” deklaroi Modi të martën gjatë një fjalimi publik.
Në vijim të sulmit të armatosur kundër turistëve më 22 prill në zonën e Pahalgamit, ku mbetën të vrarë 26 persona, India ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e vitit 1960 me Pakistanin për ndarjen e burimeve ujore.
Edhe pse askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, autoritetet në Nju Delhi akuzojnë Pakistanin për përfshirje, akuza që ky i fundit i mohon.
Tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm, duke i çuar në prag të një konflikti të armatosur. Për një javë me radhë, trupat indiane dhe ato pakistaneze kanë shkëmbyer zjarr përgjatë vijës kufitare.
Ndërkohë, Pakistani ka akuzuar Indinë se po përpiqet të ndryshojë rrjedhën e lumit Chenab, një nga tre lumenjtë që sipas marrëveshjes së vitit 1960 janë nën kontrollin e Islamabadit. “Kemi vërejtur ndryshime jo natyrore në rrjedhën e lumit Chenab. Sasia e ujit ka rënë ndjeshëm nga dita në ditë,” deklaroi Kazim Pirzada, ministri i Ujitjes në provincën pakistaneze të Punjab.
Pas vendimit të njëanshëm të Indisë për të pezulluar marrëveshjen, Pakistani paralajmëroi se çdo përpjekje për të ndërprerë rrjedhën e ujit drejt territorit të tij do të konsiderohet si “akt lufte”.
Provinca e Punjab-it në Pakistan, e cila kufizohet me Indinë dhe ku jeton gati gjysma e popullsisë pakistaneze prej 240 milionë banorësh, është zona kryesore e bujqësisë në vend.
Sipas Marrëveshjes për Lumin Indus, India ka të drejtën të përdorë lumenjtë e përbashkët për ndërtimin e digave dhe për nevoja bujqësore, por nuk lejohet të devijojë rrjedhën e ujit apo të kufizojë sasinë që shkon drejt Pakistanit.

E djathta mes pasqyrës së Berishës dhe Bashës!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128