
Hije manipulimi për votat e publikut ndaj Izraelit në Eurovision, kërkohet audit nga Spanja

Izraeli mori vetëm 60 vota nga juritë e shteteve, por ndërkohë kapi vendin e dytë në Eurovision 2025 me 357 pikë në total, duke marrë një rekord prej 297 pikësh nga publiku, duke ngritur hije tek shumë shtete.
Kjo ka bërë që dhe tensionet midis RTVE (Transmetimi Publik i Spanjës) dhe Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) të vazhdojnë të përshkallëzohen.
Sipas burimeve të mediave të huaja pranë organizatës, transmetuesi publik i Spanjës ka vendosur të kërkojë një audit nga organizata përgjegjëse për televotimin në Eurovision.
Qëllimi i auditimit është të verifikojë rezultatet e televotimit spanjoll, pasi pretendojnë se publiku i tyre nuk e ka mbështetur këngën e Izraelit.
RTVE mori 142,688 vota në finalen e Eurovision të shtunën në mbrëmje, sipas raportit të kërkuar nga EBU, të dhëna të marra këtë të diel. Raporti fillestar i marrë nga Spanja ishte një listë e vendeve për të cilat dha më shumë vota, por nuk specifikonte numrin e votave për secilin.
Pasi këmbënguli për të marrë të dhëna më të sakta, RTVE mori një analizë të re nga organizatori i festivalit, i cili raportoi vetëm se, natën e finales së madhe, mori 7,283 thirrje telefonike, 23,840 mesazhe me tekst (SMS) dhe 111,565 vota online.
Por ky raport tregon vetëm të dhënat e agreguara nga kompania gjermane përgjegjëse për numërimin e tyre, pa një analizë më të saktë, shpjegojnë burime nga organi publik. Për këtë arsye, të hënën rrjeti spanjoll do të kërkojë një audit për të sqaruar se çfarë ndodhi saktësisht. Juria spanjolle i dha 0 pikë këngës së Izraelit “New Day Will Rise”.
RTVE thotë se edhe vendet e tjera do të kërkojnë kontrolle të ngjashme, shpjeguan të njëjtat burime për El País. Kjo pasi nga shumë shtete, juria e të cilave i dha zero pikë Izraelit, prej televotimit të tyre rezultoi si vendi me pikët maksimale, pra 12.
Televizioni publik spanjoll e filloi transmetimin e finales së Eurovision 2025 duke transmetuar një mesazh në lidhje me Gazën, pavarësisht kërcënimeve nga EBU.
“Kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, heshtja nuk është një opsion”, ishte mesazhi që u shfaq në anglisht dhe spanjisht në RTVE, televizionin publik të Spanjës. Mesazhi u projektua me shkronja të bardha, në një sfond të zi, në fillim të transmetimit të finales së Eurovision 2025.
Komentuesit e RTVE informuan audiencën se EBU, Unioni Evropian i Transmetimeve, i ka dërguar një letër duke e paralajmëruar transmetuesin spanjoll RTVE për “sanksione të mundshme penale” nëse përsëriten referencat për luftën në Gaza. Rasti ishin komentet e prezantuesve gjatë transmetimit të gjysmëfinales së dytë të Eurovision, të enjten.
Prezantuesit spanjollë kërkuan një diskutim mbi pjesëmarrjen e Izraelit në këtë ngjarje dhe kujtuan numrin e të vdekurve në Rripin e Gazës, i cili sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara tejkalon 53,000 dhe përfshin më shumë se 15,000 fëmijë.
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128