Megaoperacioni në Bruksel/ Hetimet për shitjen e 23 ndërtesave për 900 milionë euro, policia belge bastis zyrat e Komisionin Evropian

12 Shkurt 2026, 14:11 / BOTA ALFA PRESS

Megaoperacioni në Bruksel/ Hetimet për shitjen e 23 ndërtesave

Policia belge ka kryer kontrolle mëngjesin e së enjtes në ambientet e Komisionit Evropian në Bruksel, në kuadër të një hetimi për parregullsi të mundshme në shitjen e pasurive të paluajtshme të Bashkimit Evropian.

Sipas “Financial Times”, kontrollet u zhvilluan në disa ndërtesa të Komisionit, përfshirë edhe departamentin e buxhetit, dhe lidhen me shitje pronash të BE-së të realizuara gjatë mandatit të mëparshëm të Komisionit, kur komisioner për Buxhetin ishte Johannes Hahn.

Hahn ishte përgjegjës për menaxhimin e buxhetit evropian prej 1 trilion eurosh deri në vitin 2024 dhe, pas përfundimit të mandatit, u emërua i dërguar i posaçëm i BE-së për Qipron.

Hetimi po kryhet nga Prokuroria Publike Evropiane dhe ka të bëjë me 23 ndërtesa të blera në vitin 2024 nga fondi shtetëror belg i investimeve SFPIM për 900 milionë euro. Në kohën e marrëveshjes, Komisioni Evropian kishte deklaruar se procesi i shitjes ishte realizuar përmes një procedure tenderimi dhe në përputhje me rregulloren financiare të BE-së.

Zëdhënësja e Prokurorisë Publike Evropiane, Tine Hollevoet, konfirmoi se “po zhvillohen veprime për mbledhjen e provave në kuadër të një hetimi në vazhdim”, duke shtuar se “në këtë fazë nuk mund të bëhet publike asgjë më tej, për të mos rrezikuar procesin dhe rezultatin e tij”.

OLAF, zyra evropiane kundër mashtrimit, refuzoi të komentojë, njësoj si edhe policia federale belge. Ndërkohë, Komisioni Evropian, SFPIM dhe Johannes Hahn nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment, shkruan “Financial Times”.

Po ndodh...

ide