Një vit pas rrëzimit nga pushteti, Bashar al-Assad i rikthehet mjekësisë! Jeta luksoze e familjes së tij në Moskë

15 Dhjetor 2025, 15:20 / BOTA ALFA PRESS

Një vit pas rrëzimit nga pushteti, Bashar al-Assad i rikthehet

Një vit pas rrëzimit të regjimit të tij në Siri, Bashar al-Assad duket se i ka kthyer shpinën përfundimisht politikës dhe po përpiqet të rikthehet në profesionin e tij fillestar si mjek, këtë herë nga mërgimi në Rusi.

Sipas gazetës “The Guardian”, e cila citon burime me njohuri mbi lëvizjet e familjes Assad, ish-presidenti i Sirisë po ndjek kurse të oftalmologjisë në ambiente universitare në Moskë.

Një mik i familjes Assad, i cili mban kontakte të rregullta me ta, ka deklaruar se ish-presidenti “po mëson rusisht dhe po rifreskon njohuritë e tij në oftalmologji”. Sipas të njëjtit burim, kjo është një fushë që e ka interesuar gjithmonë dhe nuk po i rikthehet asaj për arsye ekonomike, pasi “qartazi nuk ka nevojë për para”.

Kujtohet se përpara shpërthimit të luftës në Siri, Assad ushtronte herë pas here profesionin e tij mjekësor në Damask. Disa vëzhgues vlerësojnë se elita e pasur ruse mund të përbëjë klientelën e tij të ardhshme.

Familja Assad raportohet se jeton tashmë një jetë të qetë dhe të izoluar, por luksoze, kryesisht mes Moskës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Miq të familjes, burime në Rusi dhe Siri, si edhe rrjedhje informacioni në media, përshkruajnë përditshmërinë e një familjeje dikur tejet të fuqishme, që sundonte Sirinë me dorë të hekurt.

Sipas dy burimeve që njohin kushtet e jetesës së tyre, Assadët ka shumë gjasa të banojnë në Rubliovka, një nga zonat më të shtrenjta dhe më të sigurta të Moskës, e njohur si “streha” e elitës ruse. Në të njëjtën zonë thuhet se jeton edhe ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç, i cili u arratis nga Kievi në vitin 2014.

Pavarësisht sanksioneve perëndimore të vendosura në vitin 2011, pas shtypjes së dhunshme të protestave në Siri, familja Assad nuk përballet me probleme financiare. Një pjesë e madhe e pasurisë së saj u transferua me kohë në Moskë, ku autoritetet rregullatore perëndimore nuk mund ta preknin.

Megjithatë, rehatia financiare nuk shoqërohet më me ndikim politik. Sipas burimeve të Guardian, familja është shkëputur plotësisht si nga rrjetet siriane, ashtu edhe nga ato ruse, ku kishte lëvizur më parë. Arratisja e papritur nga Siria thuhet se ka lënë të pakënaqur shumë nga ish-aleatët e Assadit, ndërsa “menaxherët” rusë i kanë ndaluar atij kontaktet me figura të larta të ish-regjimit.

Është një jetë shumë e qetë,” thotë një mik i familjes. “Ka shumë pak, në mos aspak, kontakt me botën e jashtme. Komunikon vetëm me disa persona që ishin pjesë e ‘oborrit’ të tij, si Mansour Azzam (ish-ministër i çështjeve presidenciale) dhe Yasar Ibrahim (ish-këshilltar ekonomik).”

Një burim pranë Kremlinit ka deklaruar se Assad nuk konsiderohet më i rëndësishëm për Vladimir Putinin dhe elitën politike ruse. “Putini ka shumë pak durim për liderët që humbasin pushtetin. Assad nuk shihet më si një figurë me ndikim, madje as si një i ftuar interesant për darkë,” është shprehur burimi.

Kështu, ish-njeriu i fortë i Damaskut duket se ka hyrë përfundimisht në një fazë të re, të qetë dhe larg vëmendjes, jashtë qendrave të vendimmarrjes, me të vetmin strehim profesionin e mjekësisë që kishte lënë dekada më parë.

Assadi u arratis nga Damasku së bashku me djemtë e tij në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit 2024, ndërsa rebelët sirianë po i afroheshin kryeqytetit nga veriu dhe jugu. Ata u pritën nga një eskortë ushtarake ruse dhe u transportuan në bazën ajrore ruse Hmeimim, prej nga u larguan me avion nga vendi.

Assadi nuk paralajmëroi as anëtarët e familjes së gjerë dhe as aleatët e ngushtë të regjimit për shembjen e afërt, duke i lënë ata praktikisht të përballeshin vetë me situatën.

Në muajt e parë pas arratisjes, ish-aleatët e regjimit nuk ishin prioritet për Basharin. Familja u mblodh në Moskë për të mbështetur Asmën, ish-zonjën e parë të Sirisë me origjinë britanike, e cila prej vitesh vuante nga leuçemia dhe gjendja e saj ishte bërë kritike. Asma po trajtohej në Moskë edhe para rënies së regjimit. Sipas një burimi me njohuri mbi shëndetin e saj, ajo është rikuperuar pas një trajtimi eksperimental nën mbikëqyrjen e shërbimeve ruse të sigurisë.

Me stabilizimin e shëndetit të Asmës, ish-diktatori synon tani të paraqesë versionin e tij të ngjarjeve. Ai ka planifikuar intervista me RT dhe me një podcaster të njohur amerikan të spektrit të djathtë, por pret miratimin e autoriteteve ruse për t’u shfaqur në media.

Megjithatë, kjo mund të vonojë, pasi Rusia raportohet se ka bllokuar çdo paraqitje publike të Assadit. Në një intervistë të rrallë në nëntor për media irakiane, ambasadori rus në Irak, Elbrus Kutrashev, konfirmoi se ish-presidentit sirian i është ndaluar çdo aktivitet publik. “Assadi mund të jetojë këtu, por nuk ka të drejtë të angazhohet në media apo në politikë. Keni dëgjuar gjë prej tij? Jo, sepse nuk i lejohet – por ai është i sigurt dhe gjallë,” deklaroi Kutrashev.

Ndërkohë, jeta e fëmijëve të familjes Assad duket se vazhdon me relativisht pak tronditje, ndërsa ata përshtaten me realitetin e ri si pjesë e elitës së Moskës. Një mik i familjes, që ka takuar disa prej tyre muajt e fundit, tha se “janë ende në një lloj shoku. Thjesht po përpiqen të mësohen me jetën pa qenë më familja e parë”.

E vetmja paraqitje publike e familjes Assad, pa Basharin, pas rënies së regjimit ishte ceremonia e diplomimit të vajzës së tij, Zein al-Assad, më 30 qershor, kur ajo mori diplomën në Marrëdhënie Ndërkombëtare në universitetin MGIMO të Moskës.

Një fotografi në faqen zyrtare të MGIMO-s e tregon 22-vjeçaren mes të diplomuarve të tjerë. Në një video të veçantë, me cilësi të ulët, shihen në publik edhe anëtarë të familjes Assad, përfshirë Asmën dhe dy djemtë e saj, Hafez, 24 vjeç, dhe Karim, 21 vjeç.

Fëmijët e familjes Assad udhëtojnë shpesh edhe drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, me Asmën që i ka shoqëruar të paktën në një nga këto udhëtime. Të dhëna të rrjedhura nga regjistrat e fluturimeve, të siguruara nga Guardian për periudhën 2017–2023, tregojnë se Emiratet kishin qenë prej kohësh një destinacion i preferuar i familjes Assad, edhe kur ajo ishte ende në pushtet. Karim dhe Hafez kanë kryer disa udhëtime mes Abu Dhabit, Moskës dhe Sirisë, përfshirë fluturime në nëntor 2022 dhe shtator 2023.

Po ndodh...