Suedia angazhon aeroplanë luftarakë për të patrulluar Groenlandën për “Arctic Sentry” të NATO-s

12 Shkurt 2026, 18:15 / BOTA ALFA PRESS

Suedia angazhon aeroplanë luftarakë për të patrulluar

Suedia do të patrullojë rreth Islandës dhe Grenlandës me aeroplanë luftarakë Gripen si pjesë e misionit “Arctic Sentry”, kështu bëri të ditur kryeministri suedez, Ulf Kristersson.

NATO njoftoi të mërkurën se ka nisur zyrtarisht misionin, i cili synon të forcojë praninë e aleancës në Arktik, si pjesë e përpjekjeve për të zbutur tensionet e fundit brenda saj, të nxitura nga shtytja e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që SHBA-të të marrë kontrollin mbi Grenlandën.

“Kjo forcon frenimin, mbron interesat tona të përbashkëta dhe kontribuon në stabilitetin në një rajon që është thelbësor për Evropën dhe bashkëpunimin transatlantik”, tha kryeministri Ulf Kristersson në një deklaratë.

“Suedia fillimisht do të kontribuojë në Arctic Sentry me aeroplanë JAS 39 Gripen në zonën përreth Islandës dhe Groenlandës”, ka thënë ai.

Siç ishte bërë e ditur më herët, ministrat e mbrojtjes së NATO-s po planifikojnë të rrisin praninë ushtarake të aleancës në Veriun e Largët.

Vendosja e “Arctic Sentry” konsiderohet si një përpjekje për të zbutur përçarjen e kohëve të fundit lidhur me planet e Donald Trump për të aneksuar Grenlandën.

Aleanca po rrit fokusin e saj në Arktik, ndërsa shkrirja e akullit po rrit konkurrencën gjeopolitike në rajon. Misioni i ri synon të koordinojë aktivitetet e NATO-s, të përmirësojë mbikëqyrjen dhe të mbyllë boshllëqet e aftësive, veçanërisht nën ujë.

Megjithëse nuk shihet ndonjë kërcënim i menjëhershëm nga Rusia ose Kina, ambiciet e tyre për burimet natyrore dhe interesi për rrugë të reja detare po nxisin vigjilencën e shtuar të NATO-s.

Po ndodh...

ide