Tajlandë/ Avioni ushtarak rrëzohet gjatë stërvitjes, vdesin 6 persona

25 Prill 2025, 18:37 / BOTA ALFA PRESS

Tajlandë/ Avioni ushtarak rrëzohet gjatë stërvitjes, vdesin

Një aksident tragjik ajror ka ndodhur në Tajlandë, ku një avion ushtarak i Policisë Mbretërore u rrëzua në det gjatë një fluturimi stërvitor, duke shkaktuar humbjen e jetës së 6 personave në bord.

Incidenti ndodhi pranë qytetit turistik Hua Hin, një destinacion i njohur bregdetar rreth 200 kilometra në jug të Bangkokut.

Avioni i tipit Viking DHC-6 Twin Otter ishte duke marrë pjesë në një stërvitje për hedhje me parashutë kur, për arsye ende të panjohura, humbi kontrollin dhe u përplas në ujë vetëm pak metra larg bregut.

Pamjet filmike të publikuara nga dëshmitarë okularë tregojnë momentin kur avioni u zhyt me shpejtësi në det, ndërsa në sfond dëgjohen ulërima paniku nga turistët që ndodheshin në zonë.

Ngjarja tronditi pushuesit, shumë prej të cilëve panë gjithçka me sytë e tyre.

Autoritetet tajlandeze konfirmuan se të gjashtë personat në bord kanë humbur jetën.

Ekipet e shpëtimit arritën në vendngjarje brenda pak minutash dhe nisën kërkimet nënujore për trupat dhe rrënojat e avionit.

 

 

Po ndodh...

ide