Trump do të nënshkruajë sot një urdhër ekzekutiv për tarifat mbi makinat! Sulm i ashpër ndaj kompanisë “Amazon”

29 Prill 2025, 17:04 / BOTA ALFA PRESS

Trump do të nënshkruajë sot një urdhër ekzekutiv

“Sot plotësohen zyrtarisht 100 ditë premtimesh që Presidenti Trump i dha dhe i mbajti,” deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolajn Livit, në një konferencë për shtyp me rastin e 100 ditëve të mandatit të dytë të Trump, e shoqëruar nga Sekretari i Thesarit, Skot Besent.

“Kjo ishte me të vërtetë fillimi më historik i një presidencë në historinë amerikane. Pasi ndërtoi ekonominë më të fuqishme në botë gjatë mandatit të tij të parë, Presidenti Trump është në procesin e ribërjes së saj. Populli amerikan i beson presidentit Trump,” tha ajo.

Ajo e përshkroi Trumpin si “sipërmarrësin kryesor” të Amerikës dhe theksoi se më shumë se 100 vende kanë hyrë në tryezën e negociatave për të ofruar kushte më të favorshme për SHBA pas vendosjes së tarifave nga presidenti amerikan.

Livit gjithashtu njoftoi se Donald Trump do të nënshkruajë sot një urdhër ekzekutiv për tarifat mbi makinat, me synimin për të zbutur ndikimin e tyre në industrinë amerikane të makinave.

Duke marrë fjalën, Sekretari i Thesarit u pyet për qëllimin e tarifave të Trump, pasi ky i fundit ka deklaruar se dëshiron të zëvendësojë tatimin mbi të ardhurat me të ardhurat nga tarifat. Ai u përgjigj se qëllimi është i dyfishtë: sigurimi i “të ardhurave doganore afatgjata” dhe përfundimi i marrëveshjeve tregtare.

Sipas Besent, vendet aziatike, përfshirë Indinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut, janë “më të gatshme” për të negociuar marrëveshje tregtare. Ai theksoi se së shpejti do të ketë një njoftim për Indinë, duke përmendur vizitën e zëvendëspresidentit J.D. Vance javën e kaluar, gjatë së cilës u arrit “progres i rëndësishëm” me kryeministrin Narendra Modi.

Ai shtoi se “mund të shohë konturet e një marrëveshjeje” me Korenë e Jugut dhe se ka pasur “bisedime thelbësore” me Japoninë.

I pyetur për luftën tregtare të SHBA me Kinën, ai tha se janë zhvilluar bisedime me zyrtarë në Pekin – por nuk dha detaje të mëtejshme. Ai parashikoi se Kina do të detyrohet të tërhiqet, duke thënë se tarifat janë “të paqëndrueshme” për Pekinin. Shtoi se ka parë statistika që tregojnë se Kina mund të humbasë shpejt 10 milion vende pune – dhe se edhe me uljen e tarifave, mund të humbasë pesë milionë vende pune.

Livit dënon veprimin “armiqësor dhe politik” të Amazon

Sa i përket planeve të Amazon për të shfaqur koston shtesë të tarifave të Trump pranë produkteve të saj, Lëvit e dënoi këtë veprim duke e quajtur “një akt armiqësor dhe politik”.

“Pse nuk e bëri këtë Amazon kur administrata Biden çoi inflacionin në nivelet më të larta të 40 viteve të fundit?” pyeti ajo. Megjithatë, shtoi se “nuk është surprizë” pas një artikulli të fundit të Reuters për bashkëpunimin e Amazon me një “krahu kinez të propagandës”.

“Por mund t’ju them që ky është padyshim një akt armiqësor dhe politik nga Amazon,” shtoi Lëvit.

SHBA – destinacioni kryesor për investimet vendase dhe të huaja

Sekretari i Thesarit foli gjithashtu për bizneset që po kthehen në SHBA, duke thënë se administrata Trump synon t’u japë atyre “siguri të madhe”.

“Mendoj se ka shumë gjasa që ta përfundojmë këtë projektligj fiskal dhe ai do të jetë shumë i fuqishëm për investimet e brendshme amerikane,” deklaroi ai.

Besent u bëri thirrje gjithashtu udhëheqësve të bizneseve që të “rikthejnë fabrikat e tyre”.

“Mund të shpenzoni plotësisht për pajisjet dhe ndërtesat, dhe këtë do ta kombinojmë me deregulimin, energjinë e lirë dhe sigurinë rregullatore,” shtoi ai.

“Kjo do ta mbajë SHBA-në si destinacionin më të rëndësishëm për investimet vendase dhe të huaja.”

“Rilokacioni nuk është diçka që mund ta bësh brenda 100 ditëve,” përfundoi ai.

 

Po ndodh...