Gjinekologia ngre alarmin: Sëmundjet seksualisht të transmetueshme po përhapen me shpejtësi, meshkujt nuk paraqiten për kontrolle, shumë persona nuk e dinë që janë mbartës

19 Prill 2026, 23:55 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Gjinekologia ngre alarmin: Sëmundjet seksualisht të transmetueshme po

Sëmundjet seksualisht të transmetueshme (IST) po njohin një rritje të ndjeshme vitet e fundit në Shqipëri. Mjekët gjinekologë paralajmërojnë se faktorë si ndërrimi i shpeshtë i partnerëve, fillimi i hershëm i jetës seksuale dhe mungesa e mbrojtjes kanë ndikuar drejtpërdrejt në përhapjen e tyre.

Sipas Prof. Dr. Afërdita Manaj, mjeke gjinekologe, sot më shqetësuese janë infeksionet virale si HIV, papiloma virusi (HPV), i cili shkakton kondiloma dhe lidhet me kancerin e qafës së mitrës si dhe hepatitet B dhe C. Po ashtu, infeksionet bakteriale si sifilizi dhe gonoreja janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit.

Manaj thekson se sifilizi është veçanërisht i rrezikshëm, pasi nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet në kohë, mund të çojë deri në pasoja fatale. Simptomat e para shfaqen si ulçera të forta, jo të dhimbshme, të cilat mund të zhduken përkohësisht dhe të rikthehen pas disa muajsh.

Manaj vëren se shumë pacientë paraqiten vonë tek mjeku, shpesh vetëm kur simptomat bëhen të dukshme. Meshkujt, sipas saj, paraqiten më rrallë për kontrolle, ndërsa gratë shpesh vijnë vetëm kur shfaqen komplikacione.

“Shumë pak vijnë burrat, djemtë. Femrat nuk vijnë vetë, vetëm kur shohin shenja të dukshme”, ka thënë ajo për Vizion Plus.

Edhe pse rastet janë në rritje, sensibilizimi për IST-të mbetet i ulët. Shumë persona nuk janë të vetëdijshëm se janë mbartës të ndonjë virusi. Prof. Dr. Manaj apelon për më shumë ndërgjegjësim, edukim seksual dhe kontrolle të rregullta mjekësore, veçanërisht për ata që kanë më shumë se një partner seksual.

Po ndodh...

ide