Kosova vendos tavan për fitimet nga karburantet, Shqipëria ende pa masa ndërsa çmimet rriten

4 Mars 2026, 19:54 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Kosova vendos tavan për fitimet nga karburantet, Shqipëria ende pa

Kosova ka ndërhyrë me masa të drejtpërdrejta për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve, pas një shtrenjtimi të menjëhershëm në tregun vendas si pasojë e tensioneve të reja në Lindjen e Mesme. Ndërkohë, në Shqipëri çmimet e karburanteve kanë nisur të rriten, por autoritetet nuk kanë ndërmarrë ende ndonjë masë konkrete për të kontrolluar situatën.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, Mimoza Kusari, njoftoi se ka nënshkruar vendimin për vendosjen e kufijve maksimalë të fitimit për tregtimin e derivateve të naftës. Sipas këtij vendimi, marzhi tregtar maksimal i lejuar për shitjen me shumicë do të jetë deri në 2 centë për litër, ndërsa për shitjen me pakicë deri në 12 centë për litër.

Vendimi vjen pas një rritjeje të shpejtë të çmimeve të karburanteve në Kosovë, të cilat vetëm brenda 24 orësh janë rritur me të paktën 14 centë për litër. Sipas ministres Kusari, masa është marrë për të mbrojtur konsumatorët dhe për të garantuar konkurrencë të drejtë në tregun e karburanteve.

Autoritetet kosovare kanë argumentuar se vendimi është bazuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut të naftës, analizimin e të dhënave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raportet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Nga këto analiza është konstatuar se rritja e çmimeve në import është reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes në tregun vendas.

Përmes kësaj mase, qeveria synon të ruajë stabilitetin në treg, të parandalojë abuzimet me çmime dhe të sigurojë mbrojtje më efektive për konsumatorët në një periudhë me luhatje të forta në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Rritja e çmimeve të karburanteve lidhet me tensionet e fundit në Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur një operacion ushtarak në Iran, ndërsa Teherani është përgjigjur me sulme ndaj Izraelit dhe aleatëve të SHBA-së në rajon. Pas këtyre zhvillimeve, çmimi i naftës Brent – referenca kryesore globale për tregjet e energjisë – është rritur deri në 10% në fillim të muajit mars dhe analistët paralajmërojnë për rritje të mëtejshme nëse tensionet vazhdojnë.

Ndërkohë në Shqipëri, tregu i karburanteve ka nisur të reflektojë luhatjet e tregjeve ndërkombëtare. Vetëm në pak ditë, çmimet e shitjes me pakicë janë rritur me të paktën 6 lekë për litër në disa pika karburanti, ndërsa tregtarët kanë paralajmëruar se rritja mund të vijojë në ditët në vijim.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, autoritetet shqiptare nuk kanë shpallur ende masa për të kontrolluar marzhet e tregtimit apo për të ndërhyrë në treg, ndërkohë që Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar vetëm monitorimin e tregut për të evidentuar çdo luhatje të pajustifikuar të çmimeve.

Në këtë kontekst, ndërhyrja e Kosovës për të vendosur kufij mbi fitimet e tregtarëve vjen si një qasje më aktive për stabilizimin e tregut, ndërsa në Shqipëri mbetet për t’u parë nëse qeveria do të ndërmarrë masa të ngjashme në rast se trendi i rritjes së çmimeve do të vijojë. /ekofin.al

Po ndodh...