Rriten çmimet në tregun e fruta-perimeve në Durrës, bie fuqia blerëse e qytetarëve

10 Prill 2026, 20:04 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Rriten çmimet në tregun e fruta-perimeve në Durrës, bie

Tregu i fruta-perimeve në Durrës po përballet me një rritje të ndjeshme të çmimeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e fuqisë blerëse të qytetarëve. Situata paraqitet e vështirë si për tregtarët, ashtu edhe për konsumatorët, të cilët ankohen për pamundësinë për të përballuar kostot në rritje.

Shitësit shprehen se mungesa e klientëve është bërë shqetësuese, ndërsa theksojnë se pjesa më e madhe e blerësve janë pensionistë, të cilët blejnë vetëm produkte bazë dhe në sasi minimale.

“Nuk ka fare lëvizje, tregu është bosh”, thotë një shitëse, ndërsa një tjetër shton se situata është drejt përkeqësimit:

“Nuk shesim, sepse nuk ka njerëz. Vetëm pensionistët blejnë nga një kokërr. Rrimë gjithë ditën pa punë, ndërkohë paguajmë taksa. Po mendojmë ta mbyllim.”

Edhe tregtarët e tjerë lidhin rritjen e çmimeve me faktorë të ndryshëm ekonomikë. Sipas tyre, rritja e çmimit të karburantit ka ndikuar drejtpërdrejt në zinxhirin e furnizimit, ndërsa produktet e importit vijojnë të shtrenjtohen. Nga ana tjetër, prodhimi vendas është goditur nga fatkeqësitë natyrore, duke ulur ofertën në treg.

“Fuqia blerëse nuk është aty ku duhet, sepse çmimet janë shumë të larta. Pas rritjes së naftës, janë rritur edhe produktet tona”, shprehet një shitës.

Ndërkohë, qytetarët, veçanërisht pensionistët, e konsiderojnë situatën të papërballueshme. Ata thonë se janë detyruar të reduktojnë ndjeshëm sasinë e produkteve që blejnë.

“Nuk e blej fare domaten, është shumë e shtrenjtë”, thotë një qytetar, ndërsa një tjetër shton: “Marrim vetëm 2-3 kokrra. Dikur ishte shumë më lirë.”

Shumë prej tyre kërkojnë ndërhyrje nga institucionet për të kontrolluar çmimet dhe për të stabilizuar tregun.

“Çmimet janë shumë të larta, me pension nuk përballohen. Duhet të ndërhyjë shteti”, shprehet një tjetër qytetar.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve po rëndon çdo ditë mbi familjet shqiptare, duke shtuar presionin ekonomik dhe duke nxitur thirrjet për masa konkrete që do të lehtësonin situatën në treg./EuronewsAlbania

Po ndodh...