
Flamingot nuk votojnë por mund të "mallkojnë": Aeroporti i Vlorës si krim dhe mashtrim!

29 dhjetor 2024. Një Boeing 737-800 i kompanisë low cost Jeju Air, që fluturonte nga Bangkoku për në Muan të Koresë së Jugut, u rrëzua gjatë uljes, duke vrarë 179 persona dhe duke plagosur 2 të tjerë. Ajo që në fillim ishte vetëm një hipotezë për shkaqet e aksidentit nga një “BIRD STRIKE” apo një “goditjeje zogjsh”, domethënë përplasja e një tufe shpendësh me motorët apo pjesë të tjera të avionit sot është një siguri.
Analizat e ADN-së, puplat zogjve, njollat e gjakut dhe mbetjet e gjetura në motorët e aeroplanit Jeju Air i përkisnin ROSËS KËRRE të Baikalit, një shpendi shtegtar që fluturon në dimër nga vendet e shumimit në Siberi drejt Koresë.
Përplasje katastrofike të këtij lloji nuk janë të pazakonta. Por ato kanë nisur të shpeshtohen edhe për faktin se njerëzit nisën të pushtojnë hapësira që më parë ishin pronë ekskluzive e zogjve, si në rastin e zonave të mbrojtura.
Zakonisht të tilla aksidente janë fatkeqësi por në disa raste edhe pasojë e vendime të papërgjegjshme për të ndërtuar, aty ku natyra thotë JO! Si në rastin e mrekullisë së fundit infrastrukturore të Rilindjes, Aeroportit të Vlorës që gjoja u përurua sot. Ky Aeroport i jashtëligjshëm, ndërtimi i të cilit nisi pa leje dhe meriton të hetohet nga SPAK-u, prek zonën Vjosë-Nartë që sipas ligjit 81/2017 kishte statusin “Peizazh i Mbrojtur”. Por kjo qeveri grabitqare e pronave publike dhe habitateve natyrore,
më 26 nëntor 2022 vendosi ndryshimin e kësaj sipërfaqeje dhe krijimi i një zonë të re, të quajtur “Peizazh i Mbrojtur Pishë Poro-Nartë”, duke hequr nga zona e mbrojtur një territor prej 310 ha. Ky krim mjedisor që tani ngjan bukur në letër, në fjalimet propagandistike të pushtetit në fushatë dhe në intervistat e banorëve injorantë me gjasë mund tẽ shndërrohet në një tragjedi njerëzore, (ndonëse nuk do ta uroja kurrë ), si ajo që përmenda më lart në Korenë e Jugut. PO, sepse aeroporti i Vlorës është ngritur jashtë çdo parametri mjedisor, duke shpërfillur të gjitha argumentet shkencore dhe zërat kundër, të studiuesve, ornitologëve dhe ekspertëve të mjedisit.
Laguna e Nartës dhe zonat rreth saj, që shtrihen në një sipërfaqe prej 19 mijë hektarësh, zona më të madhe dhe e rëndësishme për ekosistemit e ligatinave jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë zonën e Mesdheut, është hapësira kyçe e biodiversitetit ku fluturojnë mbi 200 lloje shpendësh, që nga pelikani e flamengo dhe deri tek sqepbiza, kalorësi apo pulëbardha e mesdheut. Të gjithë këta ekspertë nga sot janë SERIOZISHT TË SHQETËSUAR për këtë situatë që rrezikon shpendët dhe biodiversitetin por mbi të gjitha jetën e pasagjerëve që do të fluturojnë në mes të kësaj hapësire.
Mirjan Topi, ornitolog i njohur i pranishëm sot në zonë për të parë nga afër sjelljen dhe reagimin e shpendëve gjatë zbritjes së atij që ishte një xhet privat dhe jo një avion linje i përmasave të mëdha, më tha se zhurmat nga ulja e avionit, edhe pse i përmasave shumë të vogla shkaktuan ngritjen e menjëhershme dhe të çoroditur në ajër të shpendëve shtegtarë dhe rezidentë të zonës
Flamingot dhe tufa të mëdha të pulëbardhës së mesdheut, me rreth 800 individë reaguan keq dhe të frikësuara duke u ngritur në fluturim në mënyrë të çrregullt afër perimetrit të aeroportit.
Edhe avioni sipas Topit u rrotullua disa herë në ajër para se të ulej, sepse nga fluturimet e pakontrolluara të shpendëve ekzistonte dhe rreziku i perplasjes me to.
Sigurisht, tani qeveria dhe kryeministri Edi Rama kanë nevoja emergjente votash dhe jo largpamësinë për pasojat katastrofike për sigurinë ajrore apo largqoftë mbrojtjen e habitatit natyror të Lagunës dhe shpendëve të saj.
E nëse Aeroporti i Kukësit falimentoi nga dritëshkurtësia e ideatorit të saj, uroj me shpirt që ky i Vlorës të dështojë nga përgjegjshmëria e kompanive ajrore serioze që nuk do të ndërmarrin aventura të rrezikshme me kosto njerëzore në habitate të shenjta si ai i Nartës, ku “pronarët” e ajrit dhe tokës i cakton natyra dhe jo qeveria me klientët e saj!

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128