Pavarësia e Kosovës, Osmani flet në Kuvend: Lufta e UÇK ishte e drejtë dhe e pastër! Çdo përpjekje për ta barazuar me krimet serbe dëmton themelet e paqes afatgjatë në rajon

Kuvendi i Kosovës po mban një seancë solemne në kuadër të 18 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Presidentja Vjosa Osmani, në fjalën e saj në Kuvend, theksoi se Kosova, 18 vjet më parë, u ngrit nga vuajtja në dinjitet, duke dëshmuar se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme.
“18 vjet më parë Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet, rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme. 18 vjet më parë Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur dhe sovran duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë e të dhimbshëm.
Pavarësia u fitua me mund, gjak e sakrificë e durim shekullor. U ndërtua nga ata që u persekutuan, burgosën, dëbuan dhe asnjëherë nuk u nënshtruan. Sot përulemi para kujtimit të të gjithë burrave e grave që ranë për këtë ditë, që Kosova të jetë republikë”, u shpreh Osmani.
Më tej, ajo tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e pastër dhe e drejtë dhe se çdo përpjekje për ta barazuar me krimet gjenocidale të serbëve jo vetëm që minon drejtësinë, por gjithashtu dëmton rëndë edhe themelet e një paqeje afatgjatë në rajon, duke iu referuar gjyqit që po mbahet në Gjykatën Speciale të Hagës për 4 ish krerët e UÇK-së.
Ajo tha se lufta e UÇK-së ishte shtylla më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës, dhe nuk mund të zhbëhet nga asnjë përpjekje për deformim të historisë.
“UÇK është ideali më i madh që ka ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Kjo luftë ishte e drejtë, e pastër dhe e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur atë, relativizuar apo barazuar viktimën me agresorin është e padrejtë por edhe e pavërtetë dhe e papranueshme.
Krerët e UÇK sot në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë u ngritën për liri, dinjitet për të jetuar të lirë në atdhe. Çdo përpjekje për ta barazuar luftën tonë me krimet gjenocidiale të Serbisë jo vetëm që minon drejtësinë por edhe dëmton thellë themelet e paqes afatgjatë në rajonin tonë.”, shtoi Osmani.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128