Protestat si tymnajë për pazarin politik Berisha- Rama dhe heshtja, për takimin e Tabakut në Departamentin e Shtetit

17 Shkurt 2026, 15:47 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Protestat si tymnajë për pazarin politik Berisha- Rama dhe heshtja,

Prej muajsh, Sali Berisha, del çdo ditë para kamerave për të sulmuar Edi Raman. Retorika është e ashpër, akuzat të forta dhe thirrjet për protesta të njëpasnjëshme. Por sa herë që kryeministri ka pasur nevojë për vota vendimtare në Parlament, opozita e drejtuar nga Berisha ka qenë aty.

Është fakt i njohur publikisht, se Rama ishte ndër të paktët drejtues në rajon që nuk mori një mesazh urimi nga SHBA pas zgjedhjeve, ndërsa kontaktet me administratën e Donald Trump ishin zero, si për Ramën ashtu edhe për Berishën. Megjithatë, në momentin kur Ramës i duhej një hap politik për të krijuar akses drejt Shtëpisë së Bardhë, vota e Berishës në Parlament i dha pikërisht atë që i nevojitej. Në një akt të paprecedent, Berisha i dha biletën personale Ramës, drejt Shtëpisë së Bardhë.

Kjo nuk është hera e parë. Bashkimi i votave për amnistimin e të korruptuarve dhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhor– të cilat i dhanë mazhorancës 9 mandate shtesë– ishte një tjetër kompromis i madh politik. Në thelb, pazari duket i qartë: Rama mban pushtetin, Berisha mban partinë, ndërsa qytetarët përballen me varfëri, emigrim dhe korrupsion të pandëshkuar.

Berisha e di mirë se shanset për të ndërtuar ura reale me Uashingtonin janë minimale. Plot 11 milionë dollarët e shpenzuara për lobim, prodhuan më shumë zhurmë sesa rezultat. Me bujë u paralajmërua edhe një vizitë në Departamentin e Shtetit nga deputetë të Partisë Demokratike, e artikuluar nga Jorida Tabaku, por më pas nuk pati asnjë transparencë publike: A u zhvilluan takimet, me kë u takuan dhe cili ishte qëndrimi amerikan? Nëse jo, pse u mashtruan demokratët. Nëse po, çfarë mesazhi pati për Berishën dhe situatën në vend? Kaq pak transparencë, Tabaku dhe vetë Berisha, ua ka borxh shqiptarëve.

Sot, mungesa e kontakteve të dukshme me diplomatë amerikanë, britanikë apo europianë flet vetë. Ndërsa në Tiranë organizohen protesta dhe paralajmërohet “rrëzimi i radhës” i qeverisë, në Parlament bashkëpunimi vijon normalisht– nga një komision në tjetrin, nga një seancë në tjetrën.

Në këtë kontekst, protestat duken më shumë si spektakël politik për konsum të brendshëm sesa si betejë reale për ndryshim. Dhe vota që i hapi rrugë Ramës drejt kontakteve në Shtëpia e Bardhë mbetet prova më e qartë, se përplasja publike mund të jetë vetëm fasadë e një marrëveshjeje të heshtur e një pazari që po shkatërron çdo ditë PD. Sot Berisha nuk ka justifikim, sot Berisha e di që u ka një borxh të madh demokratëve, i mashtroj për 4 vjet e sot është edhe me keq se 4 vjet me parë. Më i dobët, më i izoluar dhe më peng i Edi Ramës!/Alfapress.al

Po ndodh...