Socialistët emërojnë edhe kryetaren e Partisë Demokratike të Lezhës, Donika Ndoj?

Zgjedhja e Donika Ndoj shoqërohet me pikëpyetje për votimet e saj në Këshillin Bashkiak dhe për rol të strukturave vendore e deputetëve në proces...
Zgjedhjet në degën e Partisë Demokratike në Lezhë u zhvilluan mes akuzave për ndërhyrje dhe ndikim politik nga jashtë strukturave të partisë. Në qendër të debatit qëndron Donika Ndoj, anëtare e Këshillit Bashkiak që nga viti 2023, e cila ka votuar disa vendime në linjë me shumicën socialiste. Kundërshtarët përmendin përfshirjen e strukturave të Bashkisë Lezhë, të kryetarit Pjerin Ndreu, si dhe të deputetëve Gjin Gjoni dhe Admir Kadeli në mbështetje të kandidaturës së saj.
Zgjedhjet e fundit në degën e Partisë Demokratike në Lezhë kanë nxitur debat për mënyrën e zhvillimit të procesit dhe për ndikimin e faktorëve të jashtëm në rezultatin final.
Donika Ndoj, e zgjedhur në krye të degës, është anëtare e Këshillit Bashkiak të Lezhës që nga viti 2023 si përfaqësuese e Partisë Demokratike. Gjatë ushtrimit të mandatit, ajo ka votuar disa vendime të propozuara nga shumica socialiste. Një rast konkret është votimi i buxhetit vjetor më 15 dhjetor 2025, ku pesë këshilltarë të opozitës votuan kundër, ndërsa ajo votoi pro projektbuxhetit të paraqitur nga shumica.
Më 8 korrik, pas zgjedhjeve vendore të 11 majit, ajo shoqëroi kryetarin e Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, në një delegacion në Itali. Ky veprim u interpretua nga kundërshtarët e saj si tregues i afrimitetit politik me drejtuesit vendorë të Partisë Socialiste.
Procesi zgjedhor brenda PD-së në Lezhë u shoqërua me pretendime për angazhim të drejtorive dhe stafit të Bashkisë Lezhë në favor të kandidates. Anëtarë të partisë deklarojnë se është ushtruar presion ndaj votuesve për të orientuar rezultatin.
Në këto akuza përmendet edhe roli i deputetit Gjin Gjoni, si dhe angazhimi i deputetit Admir Kadeli në mbështetje të kandidaturës së Donika Ndoj. Sipas kundërshtarëve, mbështetja politike e këtyre figurave ka ndikuar në balancat e brendshme të degës.
Rezultati i zgjedhjeve ka krijuar ndarje në strukturat lokale të PD-së. Një pjesë e anëtarësisë e konsideron procesin të deformuar nga ndërhyrje të jashtme, ndërsa mbështetësit e kryetares së zgjedhur e cilësojnë votimin si shprehje të vullnetit të anëtarësisë.
Debati tashmë tejkalon një garë të brendshme partie dhe prek çështjen e pavarësisë së organizimit politik në nivel lokal, si dhe raportet mes pushtetit vendor dhe opozitës në Lezhë./Pamfleti



Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128