Broja kthehet te Çelsi, Evertoni sytë nga Bundesliga

8 Maj 2025, 16:23 / SPORT ALFA PRESS

Broja kthehet te Çelsi, Evertoni sytë nga Bundesliga

Evertoni është i gatshëm të paguajë 30 milionë stërlina për të nënshkruar me sulmuesin e Glabahut, Tim Kleindienst. Sipas asaj që raporton “Caught Offside”, Evertoni do të ketë mungesa në sulm, kjo sepse Armando Broja do të rikthehet pas huazimit te Çelsi dhe nuk do të shpenzohet për kartonin e tij.

Ndërkohë edhe Kalvert Levin del një lojtar i lirë dhe nuk ka rinovuar. Kështu, David Mojes do të mbetet vetëm me Beton si alternativë dhe, sipas medias angleze, objektivi është sulmuesi që luan në Bundesligë.

Me një lëvizje të tillë, zbehen shanset që Evertoni të shpenzojë në fund të sezonit për Brojën.

Sulmuesi i Kombëtares u huazua i dëmtuar në fillim sezoni dhe u rifut për herë të parë me skuadrën në fundin e nëntorit. Pasi luajti disa ndeshje, ai pësoi një tjetër dëmtim që e la jashtë për një muaj sërish, duke e penalizuar për të shfaqur potencialin e tij të vërtetë.

Pas rikthimit, ai dha disa sinjale me Kombëtaren në “Uembli” dhe me Andorrën, ndërsa në vijim në Premier Ligë, nuk po arrin që të shkojë te goli.

Kanë kaluar 6 ndeshje, ku dy prej tyre Broja luajti si titullar, dy u aktivizua nga stoli, kundër Çelsit nuk e lejonte rregullorja që të futej në fushë, ndërsa në takimin e fundit qëndroi në stol. Një sezon për t’u harruar nga Armando, i cili duhet të gjejë ekipin e duhur, ndoshta edhe për të provuar veten në një kampionat tjetër jashtë Anglisë.

Më herët, emri i tij ka qarkulluar në Itali apo Bundesligë, ku Milani apo Dortmundi janë përmendur në mediat e njohura europiane. Broja po mbyll huazimin e katërt në karrierë dhe ndoshta ka ardhur momenti që të shitet përfundimisht nga Çelsi.