Nga të ikur në fenomenë, sa pengje për Joviç e Konseisao te Milani

25 Prill 2025, 19:46 / SPORT ALFA PRESS

Nga të ikur në fenomenë, sa pengje për Joviç e

Luka Joviç dhe Serxho Konseisao, linja e shpëtimit të njëri-tjetrit me një fat të përbashkët në ekuacionin e quajtur “Milan”. Qendërsulmuesi serb është zgjuar muajin e fundit, i shpluhurosur nga trajneri në një nga momentet më të vështira të “Djallit” në vitet e fundit dhe njësoj si portugezi, në momentin delikat është kundërpërgjigjur me paraqitje dhe gola.

Katër topa në rrjetë në gjashtë paraqitjet e fundit pas muajsh të kaluar më shumë në tribuna sesa në stol, për të mos përmendur fare fushën. Nëse Konseisao do të jetë në gjendje të mbyllë sezonin duke përmendur dy finalet e arritura në fushë, një pjesë e mirë e meritës është edhe e bomberit serb. Është e kotë të fshihet fakti se fati i menjëhershëm i trajnerit ishte lidhur ngushtë me arritjen ose jo në finalen e Kupës së Italisë.

TRANZICIONI – Edhe një herë kundër Interit, përballë një pengese që në teori dukej e pakapërcyeshme, Milani mundi të gjente një rrugëdalje duke vendosur në fushë një paraqitje klasike ku gërshetohej euforia për rezultatin dhe keqardhjes së fshehtë të një sezoni të dështuar. Humori i tifozëve ndahet lehtësisht me pyetjen: “Pse jo gjithmonë kështu?”, që është një pyetje e cila vështirë se do të marrë përgjigje. Megjithatë, përshtypja është se refreni i recituar fillimisht nga Fonseka dhe më pas nga Konseisao për mentalitetin dhe qasjen kanë gjetur sublimim në pesë derbet sezonale, të përjetuara si të pamposhtur (me tri fitore). E gjitha pas gjashtë derbeve të humbur në sezonin e kaluar.

TRAJNERI DHE SULMUESI – Konseisao do të përfundojë sezonin në krye të Milanit, kjo është e sigurt. Portugezi do të përpiqet të pasurojë vitrinën e trofeve, të cilën e ka përmendur disa herë në intervistat e fundit. Deri në fund të sezonit, ai do të përpiqet të mbajë gjendjen fizike dhe mendore të djemve të tij të lartë, pastaj, siç pritet, do të japë lamtumirën. Një histori ndryshe, paradoksalisht, për Luka Joviç. Qendërsulmuesi hyri në listën e bombarduesve në derbi me një dopietë “alla Xhani Komandini” (heroi i 6-0 në derbin e vitit 2001).

Duke përdorur efektin surprizë, serbi tregoi se ka karakteristika që as Morata, as Abrahami dhe as Gimenez nuk kanë mundur t’i tregojnë në fushë gjatë sezonit. Në paraqitjen ndaj Interit në fakt, përveç golave, si qendërsulmues i vërtetë në goditje me kokë apo prekje të afërt për të shfrytëzuar gabimin e kundërshtarit, Joviç tregoi cilësi të rëndësishme teknike dhe një qetësi loje. Ai i përfshiu në pasime edhe shokët e skuadrës, me karakteristika të tjera, që deri në derbi mbase nuk kanë mundur t’i shfrytëzojnë.

Dhe këtu dilema është një tjetër: a është ky Joviçi i vërtetë kur nuk ka probleme fizike? Apo, edhe në këtë rast, bëhet fjalë për qëndrim dhe qasje? Sigurisht që nuk ka një përgjigje të saktë, por do të jetë serbi ai që do të luajë letrat e tij si protagonist nga tani deri në fund të majit, me sytë nga e ardhmja. Pikërisht ai që një finale të Kupës së Italisë e ka luajtur tashmë.

 

Po ndodh...

ide