Nisin kontaktet tek Interi, ka revolucion në sulmin e zikaltërve

15 Maj 2025, 21:36 / SPORT ALFA PRESS

Nisin kontaktet tek Interi, ka revolucion në sulmin e zikaltërve
Në pritje të sprintit final në kampionat dhe të aktit të fundit të Ligës së Kampionëve, tek Interi po studiohet tregu dhe po planifikohen me kujdes hapat e ardhshëm. Sa i përket repartit ofensiv, që ka padyshim nevojë për përforcime cilësore, në “Pinetina” ka shumë ide, por në orët e fundit është rikthyer fuqishëm në skenë emri i Joshua Zirkze.

Pas një sezoni të vështirë te Mançester Junajtid, sulmuesi holandez është në kërkim të një rilindjeje dhe mund të marrë seriozisht në konsideratë mundësinë për t’u rikthyer të luajë në Serie A me fanellën zikaltër.

Ai në fakt u përshtat më së miri një vit më parë me Bolonjën, ku spikati dhe doli në pak për forcën dhe instinktin e golit. Sipas asaj që raporton “Corriere dello Sport”, ideja e Auzilios do të ishte që operacioni të bëhej me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje, në mënyrë që lojtari të vlerësohet nga afër gjatë gjithë sezonit të ardhshëm dhe pastaj transferimi i tij të bëhet i plotë dhe zyrtarisht në kampin zikaltër.

Sa u përket shifrave, Zirkze është blerë nga Mançester Junajtid për 40 milionë euro dhe, në moshën 23-vjeçare, përfiton një pagë prej 3.5 milionë eurosh në sezon plus bonuse. Shifra në përputhje me vizionin e ri të fondit “Oaktree” dhe parametrat ekonomikë të përballueshëm të Interit. Sidomos duke marrë parasysh moshën e lojtarit, i cili do të përfaqësonte jo vetëm një investim për të tashmen, por edhe për të ardhmen.

TË TJERËT- Por Zirkze nuk është i vetmi që po ndiqet me vëmendje nga drejtuesit e merkatos së Interit për sezonin e ardhshëm. Në pritje për të kuptuar sa e realizueshme është pista që çon te Niko Paz, një tjetër i ri që po ndiqet me shumë kujdes nga zikaltrit, dhe në pritje të zhvillimeve për Xhonatan David, Auzilio do të ishte duke monitoruar edhe zgjidhje të tjera.

Në detaje, nëse Napoli këtë verë do të rikthehet në ofensivë për Fratezin, me skuadrën napolitane mund të rihapet edhe pista që çon te Xhakomo Raspadori. Në plan të dytë, por gjithsesi për t’u marrë seriozisht për rolin e sulmuesit të katërt në skuadrën zikaltër, do të ishin edhe Kastro dhe i riu i Parmës, Boni.

REVOLUCION- Skuadra e Interit është duke u bërë gati për një revolucion në repartin e avancuar, pasi do të largohen futbollistët që nuk janë më në plane dhe iu skadojnë kontratat. Arnautoviç dhe Korrea janë të parët që do t’i japin lamtumirën skuadrës, ndërsa pritet gjithashtu që edhe Taremi të largohet. Pavarësisht se në ndeshjet e fundit ka bërë mirë, konfirmimi për të është i vështirë. Praktikisht në Milano do të mbeten vetëm 2 sulmuesit titullarë, Markus Turam dhe Lautaro Martinez.



Po ndodh...

ide