Partizani mbron titullin në volejboll, mposht Skënderbeun në finale

28 Prill 2025, 18:51 / SPORT ALFA PRESS

Partizani mbron titullin në volejboll, mposht Skënderbeun në

Partizani është shpallur kampion i Shqipërisë në volejboll për meshkuj për edicionin 2024-2025.

Të kuqtë e Ylli Tomorrit e mbyllën 3-0 serinë e finaleve “play off” kundër Skënderbeut, duke bërë të tyrin trofeun më të rëndësishëm kombëtar në sportin e rrjetës.

Partizani triumfoi me rezultatin 3-0 (25-13, 25-15, 25-15) në finalen e tretë kundër korçarëve, takim i zhvilluar këtë të diel në Farkë. Një ndeshje pa histori, e dominuar tërësisht nga kryeqytetasit, të cilët i mbyllën llogaritë për 71 minuta.

Ky ishte titulli i dytë radhazi kampion për Partizanin, i 17-ti në histori për klubin kuq.

Kujtojmë që ky ka qenë një sezon perfekt për Partizanin, me skuadrën e Ylli Tomorrit që fitoi çdo trofe të mundshëm, plot 5 të tillë, ku përveç titullit, në muzeun e klubit janë vendosur edhe Kupa e Shqipërisë, Kupa e FSHV-së, si dhe dy trofetë mbarëkombëtare si Liga “Gjergj Kastrioti” dhe Kupa “Pavarësia”.

 

Po ndodh...