SHQIPËRI-SERBI/ Nga stadiumi te shorti, sa i drejtë është sistemi i ri i biletave?

13 Maj 2025, 16:23 / SPORT ALFA PRESS

SHQIPËRI-SERBI/ Nga stadiumi te shorti, sa i drejtë është

Përballja e shumëpritur Shqipëri–Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, pritet të jetë një nga ngjarjet sportive më të rëndësishme të vitit në vend. Por ndërsa interesi i tifozëve është maksimal, mënyra se si Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të menaxhojë shpërndarjen e biletave ngre shumë pikëpyetje, jo vetëm mbi efikasitetin, por edhe mbi transparencën dhe drejtësinë e këtij procesi.

Në vend që të përdorë një sistem të rregullt e të parashikueshëm shitjeje, FSHF-ja ka zgjedhur një model të pazakontë, një formular aplikimi online dhe një përzgjedhje “të rastësishme” përmes shortit kompjuterik. Në teori, kjo mund të duket si një mënyrë për të garantuar barazi mes tifozëve.

Por në praktikë, krijon një ndjesi konfuzioni dhe mungesë kontrolli nga publiku. Si do të sigurohemi që ky “short” të jetë realisht i rastësishëm dhe jo një filtër i padukshëm për përzgjedhje të favorizuara? FSHF justifikon këtë model me “kërkesën e lartë” dhe nevojën për menaxhim.

Por a nuk është vetë FSHF-ja që, prej vitesh, ka pasur mundësinë të zhvillojë një platformë moderne e transparente të shitjes së biletave? Pse ky sistem duhet të ndryshojë pikërisht tani, për një ndeshje kaq delikate dhe me interes të jashtëzakonshëm? Përtej aspektit organizativ, mbetet edhe një dimension simbolik: ndeshja me Serbinë ka rëndësi jo vetëm sportive, por historike dhe kombëtare. Përjashtimi i shumë tifozëve nga pjesëmarrja për shkak të një “lotarie dixhitale” mund të perceptohet si një ftohje e lidhjes mes ekipit kombëtar dhe popullit që e mbështet.

 

Po ndodh...