I trembej Emiljano Shullazit, Durim Bami transferohet në Burgun e Fushë Krujës! Tha se te 313-ta mund ta vrisnin

18 Prill 2026, 10:15 / AKTUALITET ALFA PRESS

I trembej Emiljano Shullazit, Durim Bami transferohet në Burgun e

Vetëm 1 muaj pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, refuzoi kërkesën e Durim Bamit, për t’u transferuar nga ambientet e paraburgimit Nr.313 në Tiranë drejt ambienteve të burgut të Fushë-Krujës, një ndryshim kursi ka ndodhur për këtë rast, me vendimmarrjen e drejtorit të sapoemëruar të Burgjeve, Adriatik Kupi.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se ditën e djeshme, më 17 Prill 2026, përmes një vendimi të marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, është bërë transferimi i Durim Bamit në burgun e Fushë-Krujës.

Durim Bami, është një emër i njohur i botës së krimit në Shqipëri. Ai u ekstradua gati një muaj e gjysmë nga Dubai, pasi ndaj tij SPAK, ka lëshuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Sapo mbërriti në Shqipëri, ai u izolua në ambientet e burgut ‘313’ në Tiranë. Por një ditë më pas, përmes avokatit Ilir Murati, Durim Bami, kërkoi transferimin e tij nga burgu ‘313’ në Tiranë drejt burgut të Fushë-Krujës, që ndodhet në territorin ku Bami ndihet si në habitatin e vetë.

Në kërkesën e tij, Durim Bami, argumentonte se në të njëjtin burg ku u izolua, qëndronin dhe personazhe të tjerë si Emiljano Shullazi, të cilët kanë dashur ta vrasin. Ndaj për të shmangur këtë rrezik fizik për jetën, ai kërkoi transferimin në një burg tjetër.

Por në 17 Mars 2026, kërkesa e tij është refuzuar nga ish-drejtori i Burgjeve, Klevis Qose, me argumentin se për sigurinë e tij fizike, do kujdesej shërbimi policor i burgjeve pranë IEVP-së ‘313’ Tiranë.

Vendimi për refuzimin e kërkesës për transferimin erdhi për shkaqe të ndryshme, ku më kryesorja është ajo e mosgarantimin të transportit çdo javë nga burgu i Fushë-Krujës në ambientet e Gjykatës së Posaçme SPAK, ku Durim Bami dhe persona të tjerë janë marrë të pandehur dhe dërguar në gjykatë në dosjen penale që njihet si “Metamorfoza 2”.

Pikërisht në këtë gjykatë, ndaj Durim Bamit dhe personave të tjerë ka filluar procesi gjyqësor dhe nisur nga kjo situatë Bami, do të duhet të lëvizë thuajse çdo javë për t’u përballur në gjyq me 3 akuzat e ngritura nga prokuroria e posaçme SPAK.

Një muaj pas këtij vendimi për refuzimin e kërkesës së transferimit të Bamit në Fushë-Krujë, drejtori i ri i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, vendosi ditën e djeshme të transferojë Durim Bamin në Fushë-Krujë.

Kujtojmë se Durim Bami, mbërriti në Shqipëri për shkak të një ekstradimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai u shoqërua në burgun ‘313’ në Tiranë.

Por një ditë më pas, Bami, përmes avokatit të tij, Ilir Murati, kërkoi transferimin e tij në paraburgimin e Fushë-Krujës, pasi qëndrimi në burgun e Tiranës i rrezikonte jetën për shkaqe se në të njëjtin burg ndodhet dhe Emiljano Shullazi, i cili ka dashur ta vrasë Bamin.

Sipas dosje hetimore të SPAK, Durim Bami, është një nga anëtarët e bandës së Niklës. Ai u arrestua në Dubai në tetor të vitit 2024 dhe u ekstradua në Tiranë më 26 shkurt 2026.

Bami, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.

Ai akuzohet se kishte organizuar dhe porositur vrasjen e mbetur në tentative e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, ndërsa edhe ky i fundit dhe 16 anëtarë të tjerë të grupeve kriminale në Shqipëri, e donin Bamin të vdekur dhe ndiqnin për ta vrarë.

Njëherësh Durim Bami, akuzohet edhe për “Sigurim të kushteve për të kryer vrasjen e Hektor alias Tori Xheçuka dhe Erigers Mihasit. /Syri Tv

Po ndodh...