Përfshihet edhe Shqipëria/ 75 kongresmenë letër Rubios: Hiqni pezullimin e vizave. Vendim diskriminues dhe arbitrar

4 Shkurt 2026, 22:05 / AKTUALITET ALFA PRESS

Përfshihet edhe Shqipëria/ 75 kongresmenë letër Rubios:

75 kongresmenë amerikanë të pesë disktrikteve i kanë dërguar një letër sekretarit amerikan të shtetit Marco Rubio dhe sekretares së sigurisë kombëtare Kristi Noem, ku shprehin shqetësimin e tyre mbi vendimin e administratës për pezullimin e vizave për 75 vende, ku përfshihet edhe Shqipëria.

“Ky është një vendim politik i shëmtuar dhe diskriminues nga Administrata juaj që ndikon në gati 40% të të gjitha vendeve. Është gjithashtu e habitshme që një ndryshim kaq drastik politik që ndikon qindra mijëra njerëz në vit do të njoftohej jo vetëm me anë të një postimi në Tëitter, por edhe pa ofruar ndonjë informacion shterues”.

Kongresmenët i kërkojnë dy sekretarëve të rishikojnë vendimin për emigrantët, duke argumentuar se një gjë e tillë prek mijëra familje në proces për t’u bashkuar, punonjës të kualifikuar, studentë apo rezidentë të përhershëm në pritje.

“Kjo politikë diskriminuese do të ketë një ndikim shkatërrues tek zgjedhësit tanë. Do t’i ndajë familjet dhe do t’i pengojë ato të bashkohen, do t’i bllokojë individët nga ndjekja e Ëndrrës Amerikane, do të pengojë rritjen e bizneseve të vogla dhe do të minojë aftësinë e organizatave fetare për të ndërtuar dhe mbështetur komunitetet e tyre. Shkurt, kjo politikë është e prapambetur, e vjetëruar dhe bën shumë më tepër dëm sesa dobi”.

Më tej, theksohet se sipas ekspertëve pauza e pacaktuar do të largojë pothuajse gjysmën e të gjithë emigrantëve të ligjshëm gjatë vitit të ardhshëm.

Një analizë e vizave të lëshuara gjatë tre viteve të fundit tregon se njerëzit nga vendet e prekura përbëjnë 40 deri në 45 përqind të të gjitha vizave të emigrantëve.

Në letër listohen gjithashtu një sërë pyetjesh, të cilat duhet t’ju kthehet një përgjigje deri në 20 shkurt, mbi transparencën e vendimit, argumentat ligjore apo shifrat në të cilat mbështetet. Administrata e Trumpit më 16 janar mori vendimin për pezullimin për një afat të pacaktuar ndaj vizave për 75 vende në fillim të këtij muaji, ndërsa vendimi hyri në fuqi në 21 janar.

Ky vendim prek vizat për emigrantët, që janë ato për “Green Card”, bashkim familjar apo viza pune, të cilat të japin të drejtën të jetosh përherë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo do të thotë se nuk bëhet fjalë për vizat turistike.

 

Po ndodh...

ide