Akuza për ‘spiunazh politik’, Prokuroria e Stambollit kërkon deri në 20 vite burg për ish-kryebashkiakun

Zyra e Prokurorit të Stambollit ka kërkuar dënime me burgim nga 15 deri në 20 vjet për katër persona, mes tyre edhe ish-kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem İmamoğlu, në kuadër të një hetimi për veprën penale të “spiunazhit politik”.
Sipas mediave turke, veprat e dyshuara janë kryer në periudhën 2019–2025 dhe përfshijnë, përveç İmamoğlut, edhe Huseyin Gün, Necati Özkan dhe Merdan Yantadağ.
Çështja është pjesë e një hetimi më të gjerë ndaj İmamoğlut, i cili akuzohet gjithashtu për “krijimin e një organizate kriminale për qëllime fitimi”, brenda së cilës janë ngritur edhe akuzat për spiunazh. Aktakuza i është përcjellë Gjykatës së 25-të Penale të Stambollit për shqyrtim.
Sipas prokurorisë, aktakuza përbëhet nga rreth 160 faqe dhe përshkruan një rrjet dixhital ndërkombëtar që dyshohet se ka shfrytëzuar bazën e të dhënave të Bashkisë Metropolitane të Stambollit për aktivitete spiunazhi politik dhe për manipulim të proceseve zgjedhore.
Hetimi pretendon se ekipi i fushatës së İmamoğlut ka pasur lidhje me një biznesmen që dyshohet se ka bashkëpunuar me shërbimet britanike të inteligjencës për mbledhjen dhe shpërndarjen e të dhënave personale të votuesve dhe informacionit zgjedhor përmes aplikacioneve komunale. Qëllimi, sipas akuzës, ka qenë sigurimi i mbështetjes ndërkombëtare për kandidaturën e tij presidenciale.
Ekrem İmamoğlu ndodhet në burg që nga marsi i vitit 2025 për akuza të tjera, përfshirë “korrupsion” dhe fyerje të një prokurori. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat, duke deklaruar se janë të motivuara politikisht.
Gjyqi ndaj tij dhe tre të pandehurve të tjerë për gjithsej 142 akuza, përfshirë edhe spiunazhin politik, është caktuar të zhvillohet më 9 mars 2026. Prokuroria ka kërkuar dënime të larta me burg për secilin prej të akuzuarve.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128