Kujdes nga telefonatat mashtruese në emër të bankave! Mashtrimet me VOIP arrijnë edhe në Shqipëri

6 Mars 2026, 18:51 / AKTUALITET ALFA PRESS
Kujdes nga telefonatat mashtruese në emër të bankave! Mashtrimet

Mashtrimet me VOIP arrijnë edhe në Shqipëri, bankat paralajmërojnë klientët të mos japin të dhëna të kartave në telefon

Ditët e fundit janë rritur rastet e telefonatave mashtruese që përdorin emrin dhe logon e bankës për t’i vjedhur qytetarët. Skema e mashtrimit funksionon përmes telefonatave VOIP, ku mashtruesit kërkojnë të dhëna të kartës bankare, PIN-in dhe kode sigurie, duke pretenduar se komunikimi është zyrtar. Kujdes! Bankat nuk do t’ju kërkojnë kurrë të dhëna konfidenciale përmes telefonit. 

Një telefonatë në anglisht dhe një logo banke që shfaqet në ekranin e telefonit. Për shumëkënd kjo mund të dukej si një komunikim normal nga banka, por jo për Fato Alliun. 

Ajo tregon përvojën e saj mbi telefonatën e dyshimtë, që rezultoi të ishte një tentativë mashtrimi. 

“Dje rreth orës 16.00 kam pasur një telefonatë në gjuhën angleze. Në moment e kuptova që ishte mashtrues, sepse mendova si mundet të kërkojë të dhënat e kartës time. Në telefon në ekran doli logo e një banke të nivelit të dytë. Më pas fola me bankën dhe mora sqarimet e nevojshme,” thotë ajo.

Sipas saj, në ekranin e telefonit u shfaq emri ‘Revolut Bank’ por personi u prezantua si punonjës i një banke të nivelit të dytë.

“U prezantua si punonjës i një banke tregtare dhe njoftoi që kishte pasur një tentativë nga karta e biznesit në faqen Amazon në Middle East. Pasi nuk konfirmova tentativë nga ana ime, më tha që karta do të bllokohej dhe për dy ditë duhej të paraqitesha në degë për të marrë një kartë të re. Në këtë moment më kërkoi expiry date dhe e kuptova që ishte mashtrim” tregon Alliu.

Rasti i Fatos nuk është i izoluar. Në ditët e fundit janë raportuar disa telefonata të ngjashme, që përdorin teknologjinë VOIP, pra telefonata përmes internetit, për të krijuar përshtypjen se komunikimi vjen nga një bankë.

Sipas një njoftimi të Shoqatës Shqiptare të Bankave, në disa raste telefonatat vijnë nga adresa me prapashtesa si “@gmail” apo platforma të tjera, ndërsa në ekran mund të shfaqet emri ose logoja e bankës.

Në fakt, bëhet fjalë për një teknikë mashtrimi që përdor manipulimin e identitetit të telefonatës për të fituar besimin e viktimës.

Gjatë telefonatave, personat që telefonojnë mund të komunikojnë në gjuhë të ndryshme dhe të pretendojnë se po verifikojnë një veprim të dyshimtë me kartën bankare. Më pas ata kërkojnë të dhëna si numri i kartës, data e skadencës apo kode të tjera sigurie.

Nëse këto të dhëna jepen, mashtruesit mund të kenë akses në llogarinë bankare.

Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë se rastet janë raportuar nga një bankë e nivelit të dytë.

“Ishin disa raste që na u raportuan nga një bankë e nivelit të dytë. Telefonatat ishin nga India. Nuk është masive, por nuk duhet nënvlerësuar nisur edhe nga rastet e tjera të mashtrimit. Ne dolëm me njoftim menjëherë që të mos kishim viktima,” shprehet ai.

Sipas Brumbullit, teknologjitë e reja të komunikimit e kanë bërë më të lehtë për mashtruesit të krijojnë identitete të rreme dhe të telefonojnë nga vende të ndryshme të botës.

“Këto kanale mashtrimi po përhapen me shpejtësi dhe duhet të jemi të përgatitur. Duhet të fiksohet në mendjen e njerëzve që bankat nuk kërkojnë në telefon të dhëna,” thotë ai.

Ekspertët e sektorit bankar paralajmërojnë se mashtrimet digjitale janë bërë një fenomen në rritje, sidomos me përhapjen e pagesave online dhe shërbimeve bankare në distancë.

“Të gjitha bankat shqiptare ofrojnë sot internet banking, dhe në fund të vitit të kaluar numri i llogarive të lidhura me internetin arriti në afërsisht dy milionë. Aktualisht 49% e llogarive aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga më pak se 20% që ishte në vitin 2020,” thotë Ersuin Shehu, zëvendës/kryeredaktor pranë revistës “Monitor”. 

Shehu shpjegon se ky tregues pritet të rritet me zgjerimin e përdorimit të kanaleve dixhitale dhe promovimin e tyre nga vetë bankat. 

“Një pjesë e bankave tashmë ofrojnë digital onboarding, që lejon hapjen e llogarive pa paraqitje fizike në bankë, dhe pritet që në një afat të mesëm kjo mundësi të jetë e përhapur në të gjitha bankat. Ky vit do të sjellë gjithashtu nisjen e bankës së parë ekskluzivisht dixhitale, ndërsa ka interes edhe nga investitorë të tjerë për profile të ngjashme,” shton ai.

Sipas Shehut, thellimi i dixhitalizimit rrit numrin e viktimave potenciale të skemave mashtruese dhe është e pritshme që tentativat për mashtrim do të vazhdojnë. 

“Përveç sfidave për të ruajtur sigurinë kibernetike të sistemeve dhe të dhënave, bankat duhet të punojnë në mënyrë të vazhdueshme për edukimin e klientëve mbi përdorimin e kanaleve dhe instrumenteve dixhitale. Për shoqërinë, mbrojtja nga mashtrimet kibernetike duhet të jetë pjesë e edukimit financiar të përgjithshëm,” përfundon ai.

Për këtë arsye, bankat këshillojnë klientët të jenë të kujdesshëm ndaj çdo telefonate që kërkon të dhëna personale apo financiare. Shoqata Shqiptare e Bankave, thekson se bankat në Shqipëri nuk do t’u kërkojnë kurrë klientëve përmes telefonit të dhëna të kartës bankare, PIN-in apo kodet e sigurisë.

Nëse një klient merr një telefonatë të dyshimtë, këshilla është e thjeshtë: të mos japë asnjë informacion dhe të ndërpresë menjëherë komunikimin. Më pas, çdo komunikim duhet verifikuar vetëm përmes numrave zyrtarë të publikuar nga banka. /Faktoje/ 

Po ndodh...