Vdes duke pritur drejtësinë për certifikatën e martesës, gruaja mbetet pa trashëgimi

21 Maj 2026, 21:52 / AKTUALITET ALFA PRESS

Vdes duke pritur drejtësinë për certifikatën e

Rasti i radhës i trajtuar në emisionin “Stop”, këtë të enjte, më 21 maj, lidhet me një problematikë të gjendjes civile, ku denoncuesja Elisabeta Toskaj rrëfen historinë e saj mes peripecive.

Ajo tregon se është martuar me bashkëshortin e saj në vitin 2003, ndërkohë që ai kishte qenë më parë i martuar dhe i divorcuar. Çifti jetoi për rreth 15 vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku të dy kishin shtetësi amerikane dhe ndërtuan jetën me punë dhe investime.

Pas kthimit në Shqipëri, ata u përballën me një problem serioz në dokumentacionin e gjendjes civile. Në certifikata, bashkëshorti rezultonte ende si i divorcuar, ndërsa zonja Toskaj figuronte e martuar me shtetas të huaj, duke mos reflektuar martesën e tyre reale.

Për të zgjidhur këtë problem, ata iu drejtuan gjykatës. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi korrigjimin e të dhënave, duke njohur situatën faktike.

Megjithatë, çështja u apelua dhe zvarritjet gjyqësore zgjatën për vite me radhë. Gjatë kësaj kohe, ndërsa prisnin një vendim përfundimtar, bashkëshorti i zonjës Toskaj ndërroi jetë pas 7 vitesh pritjeje, vetëm pak muaj para se Gjykata e Apelit të shprehej.

Në përfundim, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke pranuar korrigjimin e certifikatave.

Por, pavarësisht këtij vendimi, në certifikatën e vdekjes bashkëshorti vazhdon të figurojë si i divorcuar.

“Unë jam pothuajse e vdekur, sepse pa ato certifikata, unë nuk mund të bëj asgjë, jo vetëm në Shqipëri por edhe në SHBA, ku jam shtetase e atij vendi. Nga viti 2003 e deri më sot, kemi ndërtuar shumë gjëra me bashkëshortin dhe unë sot jam jashtë gjithçkaje që kemi ndërtuar, sepse unë jam e përjashtuar nga dëshmitë e trashëgimisë së bashkëshortit tim.”

Si pasojë, qytetarja Elisabeta Toskaj nuk njihet si bashkëshorte dhe as si trashëgimtare ligjore e tij, si në Shqipëri ashtu edhe në SHBA./Klantv

Po ndodh...