5 mijë ushtarë amerikanë largohen nga Gjermania si hakmarrje e Trump, Berlini: E kishim parashikuar

2 Maj 2026, 17:05 / BOTA ALFA PRESS

5 mijë ushtarë amerikanë largohen nga Gjermania si hakmarrje e

5 mijë ushtarë amerikanë po largohen nga Gjermania. Ky është rezultati i grindjes mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me kancelarin Friedrich Merz, lidhur me luftën kundër Iranit.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka zyrtarizuar planin e tërheqjes, sipas asaj që raportojnë media si CNN apo BBC. Vendimi vjen vetëm një ditë pasi Trump kritikoi ashpër Merz, i cili deklaroi se Shtetet e Bashkuara ishin “poshtëruar” nga negociatorët iranianë.

Në reagimet e tij në rrjetet sociale, Trump tha se kancelari gjerman është “duke bërë një punë të tmerrshme”, dhe e akuzon për dështime në politikat e emigracionit dhe energjisë.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, konfirmoi se urdhri për tërheqjen e trupave është dhënë nga sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth.

Sipas tij, vendimi është marrë pas një rishikimi të pranisë ushtarake amerikane në Europë dhe pritet të zbatohet brenda 6 deri në 12 muajve të ardhshëm.

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha se vendimi i SHBA-së për tërheqjen e trupave ishte i parashikueshëm.

“Që trupat e Shteteve të Bashkuara do të tërhiqeshin nga Europa dhe nga Gjermania ishte e pritshme. Ne europianët duhet të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë”, u shpreh ai në një reagim për mediat.

Aktualisht, SHBA ka mbi 36 mijë trupa aktive në Gjermani, duke e bërë atë praninë më të madhe ushtarake amerikane në Europë.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre është e vendosur në bazën ajrore Ramstein. Trump ka sugjeruar gjithashtu mundësinë e tërheqjes së trupave nga Italia dhe Spanja, duke i kritikuar këto vende për mungesë mbështetjeje në operacionet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Pistorius theksoi se prania ushtarake amerikane në Gjermani mbetet në interes të dyanshëm, pasi shërben si faktor parandalues kolektiv, sidomos në një kohë kur ambiciet e Rusisë perceptohen si kërcënim për Europën.

Ai shtoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara përdorin bazat e tyre në Gjermani për operacione që lidhen me politikën e sigurisë në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, përfshirë edhe operacione në Iran.

Në të njëjtën kohë, Berlini ka nisur një program të gjerë për forcimin e ushtrisë së vet, me synimin për t’iu përgjigjur kërcënimit në rritje nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës dhe për të reduktuar varësinë nga Shtetet e Bashkuara në aspektin e sigurisë.

Pavarësisht reduktimeve që nga fundi i Luftës së Ftohtë, prania ushtarake amerikane mbetet një shtyllë kyçe e sigurisë së Gjermanisë dhe NATO-s.

Po ndodh...

Nga Bato Kosova 12:30 EDITORIAL

Sali Brava

Nga Bato Kosova

ide