Kremlini konfirmon: Rusia dhe SHBA po diskutojnë për rikthimin e rrjedhës së gazit natyror rus drejt Evropës

9 Maj 2025, 17:34 / BOTA ALFA PRESS

Kremlini konfirmon: Rusia dhe SHBA po diskutojnë për rikthimin e

Çështja e rikthimit të rrjedhave të gazit natyror rus drejt Evropës po diskutohet gjatë bisedimeve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, deklaroi sot një zyrtar i Kremlinit për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS, duke konfirmuar raportimin ekskluziv të djeshëm të Reuters.

“Po e trajtojmë këtë çështje me amerikanët”, raportoi agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar këshilltarin e lartë të Kremlinit, Yuri Ushakov, kur u pyet nëse po diskutohen furnizimet ruse me gaz natyror, sipas asaj që transmeton Reuters.

Eksportet ruse të gazit natyror drejt Evropës ranë ndjeshëm pas shpërthimit të tubacioneve Nord Stream nën Detin Baltik në vitin 2022. Në fillim të këtij viti, rrjedhjet e gazit përmes Ukrainës u ndërprenë, pasi Kievi refuzoi të rinovojë marrëveshjen e tranzitit për shkak të luftës.

Megjithatë, aktualisht presidenti amerikan Donald Trump po shtyn për paqe në Ukrainë, duke rritur mundësitë për një “shkrirje” në marrëdhëniet e lidhura me gazin natyror. Tetë burime të njohura me bisedimet thanë për Reuters se zyrtarë nga Uashingtoni dhe Moska kanë diskutuar ndihmën e SHBA për të ringjallur shitjet e gazit rus në Evropë.

Burime pranë bisedimeve dypalëshe thanë se përcaktimi i një roli të ri për Moskën në tregun evropian të gazit natyror mund të ndihmojë në konsolidimin e një marrëveshjeje paqeje me presidentin rus Vladimir Putin.

 

Po ndodh...