Marta Kos nga Beogradi: Serbia të bashkëpunojë për reformat, pa to nuk ka anëtarësim në BE

29 Prill 2025, 21:05 / BOTA ALFA PRESS

Marta Kos nga Beogradi: Serbia të bashkëpunojë për reformat,

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, i ka bërë thirrje Serbisë që të intensifikojë reformat e brendshme në mënyrë që të përparojë në procesin e integrimit evropian. Gjatë një vizite zyrtare në Beograd, ajo u takua me kryeministrin serb Gjuro Macut, në takimin e parë mes tyre që nga marrja e detyrës së këtij të fundit.

Në konferencën për shtyp, Kos theksoi se përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE varet nga reforma të thella dhe të prekshme në fushat e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, lirisë së medias dhe procesit zgjedhor.

“Bashkëpunoni me ne për krijimin e një gjyqësori të pavarur që mund të luftojë në mënyrë efektive korrupsionin. Bashkëpunoni për të ndërtuar institucione që sigurojnë media të lira, ku të gjitha mendimet të përfaqësohen,” deklaroi Kos.

Ajo shtoi se vendosja e një kornize të drejtë zgjedhore është thelbësore për t’i dhënë popullit serb një zë të fuqishëm dhe për të garantuar që vendimet të bazohen në vullnetin qytetar.

Kos tha se kërkesat e qytetarëve që kanë dalë në protesta janë të njëjta me ato që BE-ja i kërkon Serbisë.

“Ajo që po kërkojmë është shumë afër asaj që po kërkojnë njerëzit që protestojnë në rrugë,” tha ajo, duke iu referuar protestave gjashtëmujore që nisën pas aksidentit tragjik në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku vdiqën 16 persona.

Studentët kanë bllokuar fakultetet në kërkim të përgjegjësisë për vdekjet dhe për përmirësime reale në sistemin publik. Ata kanë marrë mbështetjen e gjerë të shoqërisë, përfshirë profesorë, punonjës të arsimit, artistë, avokatë e bujq.

Nga ana e tij, kryeministri Gjuro Macut u shpreh i angazhuar për thellimin e reformave dhe përshpejtimin e procesit të integrimit:

“Përshpejtimi i procesit dhe hapja e klasave të reja negociuese do të përbëjnë bazën e punës së Qeverisë së Serbisë,” deklaroi Macut.

Ai shtoi se do të kërkojë mbështetjen e komisioneres Kos për reformimin e arsimit, dialogun politik dhe kthimin e vendit në rrugën e duhur pas një periudhe stagnimi.

Kos konfirmoi se gjatë vizitës së saj dyditore në Beograd, do të zhvillojë takime me përfaqësues të partive në pushtet dhe opozitës, organizatat e shoqërisë civile, studentët që kanë bllokuar fakultetet dhe grupet që kundërshtojnë bllokadat.

“Transformimi i vërtetë duhet të vijë nga brenda, nuk mund të vijë nga jashtë. Ne jemi këtu si partnerë,” tha ajo.

BE i kërkon Serbisë hapa të qarta dhe të matshme drejt demokracisë funksionale, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore, si kusht për çdo hap të mëtejshëm në procesin e anëtarësimit.

 

Po ndodh...