Hegjemonia e budallallëkut funksional!
Ka një cilësi që me pak vëmendje mund ta dallosh qartazi në shoqërinë tonë, dhe quhet budallallëku funksional.
Budallallëku funksional nuk do të thotë që njerëzit janë ndividualisht të paaftë apo budallenj. Ai është diçka më e çuditshme dhe më strukturore. Ai ka lidhje me kultivimin në mënyrë aktive të një mjedisi ku mendimi i thellë, pyetjet kritike dhe reflektimi i vërtetë dekurajohen në heshtje. Ose thënë ndryshe, një mjedis ku mendimi as nuk ndalohen e as nuk ndëshkohen drejtpërdrejt por thjesht nuk mirëpritet dhe nuk vlerësohet. Dhe paradoksalisht funksionon. Kushdo që ndalon së menduari por, thjesht vepron që gjërat lëvizin më shpejt, është i duhuri për President , Kryeministër, Kryetar Partie, Deputet, Ministër, Rektor universiteti, drejtor, etj. Budallallëku funksional nuk e shpall veten. Nuk ka asnjë rregullore të shkruar që thotë, "ju lutem ndaloni së përdoruri trurin tuaj me kapacitet të plotë, sepse po i vendosni të tjerët në siklet", përkundrazi në një heshtje të plotë ai funksionon përmes taksës e reflektimit. Taksa e reflektimit është një kosto e vazhdueshme edhe qëndrueshme që përballohet nga kushdo që guxon të thellohet, aq më shumë kur e bën këtë me zë të lartë.
Të thellohesh do të thotë të bësh pyetje që askush nuk guxon t’i bëjë; do të thotë të hedhësh poshtë narrativat që të serviren; do të thotë të jetosh me pasigurinë. Për më tepër ky proçes kërkon guximin për të pranuar, se mund të jesh edhe gabim. Kushdo që mendohet dy herë bën shumë pyetje dhe që rrjedhimisht ngadalëson gjërat, fillon të arkivohet në vetëdijen e kulturës së budallallëkut funksional si "i/e vështirë".
Në shoqëritë ku lulëzon budallallëku funksional jo vetëm që shtypet mendimi edhe reflektimi por, aty përhapen lehtësisht sinjalet e rreme të kompetencës. Ndërsa mendimi kritik nxirret jashtë sistemit, ai zëvendësohet nga shpërndarja rrjedhshme dhe e sigurt e ideve, mendimeve opinioneve apo debateve që nuk kërkojnë shumë impenjim për t'u përthithur nga audienca.
Hidhni sytë përreth jush, në tavolinat e mbledhjeve, në takimet partiake, konferenca shtypi, në debatet televizive, në portalet e panumërta, në podcastet që janë shtuar si mushkonjat në verë, dhe lehtësisht do të dalloni dukshëm njerëz që sa më pak dinë aq më me lehtësi flasin. Kështu bëhen të dukshëm, duke shpresuar ta regjistrojnë veten në vetëdijen kolektive si njerëzit me stofin e nevojshëm "të intelektualit udhëheqës".
Ndërsa operon nën hegjemoninë e budallallëkut funksional, në çdo organizëm të madh apo të vogël të kësaj shoqërie, lideri apo grupe të caktuara rreth tij ndihen të përhershëm madje edhe kur ka krizë të thellë.
Asgjë magjepse, joshëse, apo të pazëvendësueshme nuk kam dalluar tek liderët tanë të talentuar në oratori dhe oportunizëm politik, përkundrazi liderët edhe figurat groteske që rrethojnë ata, mbijetojnë sepse ato mishërojnë, ushqejnë patologjinë e budallallëkut funksional.
E pra ndarja apo dallimi më i madh i kohës sonë nuk është më e majta kundrejt të djathtës, por është zgjedhja e munguar kundrejt modelit të ofruar. Janë ata që jetojnë me pasojat kundrejt atyre që i shkaktojnë ato. Janë njerëzit që paguajnë kostot kundrejt njerëzve që krijojnë kostot. Është qytetari kundrejt "budallait të zgjuar", që ka zaptuar çdo entitet politik administrativ dhe shoqëror.
PS. Këtë shënim doja ta shoqëroja më foton e një përfaqësuesi të denjë të budallallëkut funksional , por janë aq shumë sa do t'i hyja në hak kujdo që mund ta përdorja si ilustrim!
Po ndodh...
Hegjemonia e budallallëkut funksional!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128