Kosovo President's issue, Kurti meets with LDK leader after Osmani's mandate ends

2026-04-06 12:45:32 / KOSOVA ALFA PRESS

Kosovo President's issue, Kurti meets with LDK leader after Osmani's

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka nisur të hënën një takim me Lumir Abdixhikun, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) parti opozitare, për ta diskutuar çështjen e shumëfolur të presidentit të vendit.

Palët pritet të deklarohen pas takimit.

Takimi zhvillohet pas përfundimit të mandatit presidencial të Vjosa Osmanit më 4 prill. Të njëjtën ditë, pozitën e ushtrueses së detyrës e ka marrë Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.

Ka muaj që partitë kryesore nuk arrijnë pajtueshmëri për këtë çështje.

Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota.

Qeveria e Kosovës është formuar më 11 shkurt. Ditë më vonë, Kurti i ka nisur diskutimet me krerët e partive kryesore opozitare për çështjen e presidentit, mirëpo palët nuk janë pajtuar për asnjë emër.

Më 5 mars, LVV-ja i ka propozuar dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Kollçaku – Mullhaxha. Në mungesë kuoromi, procesi ka mbetur në gjysmë.

Të nesërmen, ish-presidentja Osmani e ka prezantuar një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

LVV-ja e çoi dekretin e Osmanit në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar jokushtetues.

Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh.

Vetë Kurti dhe partia e tij kanë thënë disa herë në ditët e fundit që zgjedhjet e reja duhet shmangur dhe e kanë përmendur nevojën e bashkëpunimit, mirëpo përparim konkret nuk është parë.
/REL



Happening now...

ideas