Rasti Balluku: Kur Rama zgjedh korrupsionin përpara Europës!

Çështja Belinda Balluku nuk është thjesht një episod penal në dosjet e SPAK-ut.
Ajo është momenti më i pastër kur maska e “reformatorit të drejtësisë” bie nga fytyra e Edi Ramës dhe shfaqet fytyra e vërtetë e një kryeministri që është i gatshëm të minojë shtetin e së drejtës, të pengojë integrimin europian dhe të mbrojë një sistem korrupsioni, vetëm që pushteti i tij të mbijetojë edhe pak.
SPAK nuk po kërkon heqjen e imunitetit të një deputeteje periferike. Po kërkon autorizim për arrestimin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, numrit dy të qeverisë, njeriut që ka pasur në dorë tendera, koncesione dhe kontrata me vlerë qindra milionë euro, ku kemi të bëjmë me një “gabim administrativ”, por me një model të tërë qeverisjeje. Akoma më rëndë, SPAK thotë se Belinda Balluku, ndërkohë që ishte nën hetim dhe në detyrë, ka ushtruar presion ndaj një vartëseje, dëshmitare në çështje. Pra, hetimi nuk prek vetëm të kaluarën, por vetë integritetin e procesit në kohë reale. Kjo është arsyeja pse Prokuroria e Posaçme kërkon masa më të forta sigurie, jo për të mërzitur “garantistët” e banaqeve që janë pjesë e gostisë të tenderave që shkojnë për mediat, por si mbrojtje të provave, të dëshmitarëve dhe të së vërtetës.
Në çdo vend normal, në këtë pikë ministrja do të kishte dhënë dorëheqje, qeveria do të kishte marrë distancë dhe kryeministri do të kishte zgjedhur të shpëtonte moralin e shtetit, jo karrigen e zv/kryeministres.
Në Shqipërinë e Edi Ramës, ndodh e kundërta. Me ofensivë kundër drejtësisë, me vendimin e pezullimit në Gjykatën Kushtetuese, me ankesat se gjyqësori po “ndërhyn në punët e ekzekutivit” dhe mobilizimin e shumicës parlamentare për të ngritur një mur politik mes SPAK-ut dhe zyrës së Ballukut. Që në fakt është paradhoma e Ramës.
Këtu bëhet e qartë se çfarë po ndodh, pasi kryeministri nuk po mbron thjesht një ministre, por po mbron arkitekturën e pushtetit të tij. Sepse nëse bie Balluku, vjen radha e pyetjes së madhe: kush ka përfituar politikisht nga ky sistem? Kush e ka toleruar, inkurajuar, firmosur dhe mbrojtur?
Dhe tashmë përgjigjja bëhet çdo orë e më e qartë.
Por pasojat nuk janë vetëm të brendshme. Kjo sjellje bllokuese e pushtetit godet direkt kapitujt 23 dhe 24 të negociatave, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, “Drejtësia, liria dhe siguria”. Bashkimi Europian e ka thënë qartë, progresi në këto kapituj përcakton ritmin e gjithë procesit të integrimit. SPAK dhe gjykatat speciale janë lavdëruar si shembuj pozitivë në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Çfarë mesazhi jep një kryeministër që, në vend të mbështesë hetimet ndaj numrit dy të qeverisë, bën gjithçka për t’i bllokuar?
Ndaj rasti Balluku është testi ku Rama po dështon me vetëdije. Në vend që të thotë “drejtësia e ka fjalën”, ai po thotë “83 mandatet e kanë fjalën”. Dhe kur shumica parlamentare vihet përballë SPAK-ut, nuk është SPAK që sfidon shtetin, por është qeveria që sfidon Europën, qytetarët dhe vetë idenë e shtetit ligjor.
Dhe kur pushteti bëhet pengesë për drejtësinë dhe integrimin, problemi nuk është më vetëm i SPAK-ut apo i Brukselit, por i shqiptarëve. Europa na ka ndohmuar në ngritjen e institucioneve, por nuk vjen të ta bëjë shtetin me zor, as drejtësinë me pahir; nëse shumica në Kuvend vendos t’i dalë përballë ligjit, atëherë është shumica shoqërore që duhet t’i dalë përballë kësaj shumice politike. Nëse qeveria zgjedh të mbrojë korrupsionin, qytetarët duhet të zgjedhin të mbrojnë të ardhmen e tyre. Në këtë pikë, pyetja nuk është më çfarë bën Edi Rama me 83 mandatet, por çfarë janë gati të bëjnë shqiptarët për të mos e lënë vendin peng të një pushteti që ka frikë nga Europa sepse ka frikë nga drejtësia./Alfapress.al
Po ndodh...
Rasti Balluku: Kur Rama zgjedh korrupsionin përpara Europës!
ide
"Dënim paraprak për Belinda Ballukun", përgjigje për Baton Haxhiun
Teatri që fsheh prapaskenën
Vija e kuqe e Berishës dhe vija e zezë e demokracisë në PD
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
