Two sides of the same coin!

13 Qershor 2026, 21:00 / IDE TAULANDA JUPI

Two sides of the same coin!

Edi Rama dhe Sali Berisha nuk përfaqësojnë dy modele të kundërta të shtetit. Ata përfaqësojnë dy versione të së njëjtës kulturë politike: një kulturë ku pushteti përpiqet të qëndrojë mbi ligjin, ku shteti trajtohet si pronë private dhe ku vendimmarrja publike shpesh vihet në shërbim të pakicës.

Për 35 vite me radhë, kjo kulturë ka prodhuar një model të qëndrueshëm: rotacion pa përgjegjësi. Kush largohej nga pushteti nuk jepte llogari. Kush vinte në pushtet trashëgonte të njëjtin mekanizëm. Ndryshonin emrat, por jo mënyra e ushtrimit të pushtetit. Ndryshonin partitë, por jo logjika e pandëshkueshmërisë.

Në këtë kuptim, kjo shoqëri e ka kuptuar se ndarja reale në Shqipëri nuk ka qenë kurrë mes së majtës dhe së djathtës.

Në rrugët e Tiranës dëgjohen thirrje që nuk i drejtohen një partie kundër një tjetre, por një sistemi të tërë:
“Rama jep dorëheqjen!”
“Rama në burg, Berisha në burg!”
“Ju erdhi fundi!”

Këto nuk janë thjesht slogane proteste. Janë shenja të revoltës së një shoqërie që për 35 vite ka parë të ndryshojnë qeveritë, por jo mënyrën e ushtrimit të pushtetit. Janë zëri i njerëzve që nuk besojnë më se ndryshimi i emrave sjell ndryshim real.

Një nga fenomenet më domethënëse të këtyre dy ditëve të fundit është përpjekja e vazhdueshme dhe e qëllimshme për të devijuar mesazhin e protestës, për ta reduktuar këtë protestë në një revoltë kundër Edi Ramës. Kjo nuk është as keqkuptim, as interpretim i pafajshëm.

Është një strategji e vetëdijshme për të devijuar mesazhin e saj.

Të njëjtët aktorë politikë që prej vitesh kanë ngrohur karriget në parlament, që kanë bashkuar votat me Edi Ramën kur i lipsej për karriget e tyre, që kanë heshtur kur duhej të flisnin dhe kanë bërë kompromis kur duhej të kundërshtonin, sot përpiqen ta paraqesin një revoltë qytetare si një dekor të konflikt të zakonshëm elektoral kundër një njeriu të vetëm. Sikur problemi i Shqipërisë të fillonte dhe të mbaronte me një emër.
Kjo është hipokrizi politike në formën e saj më të pastër.
Sepse protesta nuk është pronë e tyre, as instrument i tyre dhe as zgjatim i agjendave të tyre politike.

Protesta është kundër një modeli të tërë pushteti që ka prodhuar pandëshkueshmëri për dekada kundër Edi Ramës, kundër Sali Berishës dhe kundër gjithë kulturës politike që i ka bërë të mundur të funksionojnë mbi të njëjtën logjikë sistemi.
Prandaj çdo përpjekje për ta ngushtuar këtë protestë në një konflikt qeveri dhe opozitë nuk është thjesht e gabuar. Është përpjekje për t’i hequr asaj kuptimin.
Sepse në fund, opozita e vërtetë sot nuk është në parlament.

Opozita e vërtetë sot janë qytetarët në shesh.

Po ndodh...

ide

Nga Neli Demi 12:52 IDE

Gen Z

Nga Neli Demi