Kjo protestë nuk ka kokë për ta prerë dhe për ta blerë dhe nuk ka kohë për ta shuar, pa fituar!

13 Qershor 2026, 14:32 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Kjo protestë nuk ka kokë për ta prerë dhe për ta

Kam qenë çdo ditë në protestë dhe paralelisht nëpër TV, duke folur vetëm për Protestën. Nuk kam pranuar më asnjë ftesë për tema që nuk lidhen me protestën.
Dhe këtë do bëj, deri në fund. Alfapress.al është vënë krejtësisht në shërbim të saj, duke korigjuar modestisht shmangien e qëllimshme që shumica e medieve i kanë bërë dhe vazhdojnë ti bëjnë objektivit të vetëm të saj, kuptohet në disa faza: Dorëheqja e Qeverisë Rama, ("Rama jep dorëheqjen").
Krijimi i një Qeverie Tranzitore tekniciene, e cila mbarëvan shtetin, ndërkohë që prioritet ka përgatitjen e Kushtetutës së Re, ("Shqipëria e Re"). Pra jo thjesht të krijimit të një partie të re, siç synon në mënyrë malinje Kasta, për ta futur në thertoren zgjedhore të Rama&Berishës.
Detyrë tjetër e qeverisë tranzitore do jetë, mospengimi dhe përkrahja për SPAK&GJKKO. Kjo për të nxjerë para drejtësisë kastën politike të korruptuar të Tranzicionit, e cila refuzon ti nënshtrohet vettingut penal, ("Rama në burg, Berisha në burg", "Nga Gërdeci te Zvërneci").
Futjen e vendit në zgjedhje me sistem të çliruar nga duopoli, PS-PD, i ngjizur në vitin 2008 me gjak fëmijësh në Gërdec, (Pakti kushtetues Rama-Berisha), duke mundësuar një parlament me përfaqësim real të çdo vote.
Pra jo ndonjë shpikje të madhe, por startimin e një Shqipërie normale. Me parlament normal dhe përfaqësim real. Qeverisje dhe administratë normale bazuar te ekspertiza dhe meritokracija. Drejtësi normale, para së cilës jemi të gjithë njësoj.
Parti dhe kryetarë normalë dhe jo skënderbe dhe lexhendarë.
Biznes normal në kushte normale konkuruese, sipas ligjeve të tregut të lirë dhe jo me "mish dhie" monopolesh, oligopolesh etj, të krijuara nga politika.
Votime dhe numërime normale, jo si sot kur Kasta që ka kapur sistemin, milionat e korrupsionit i numëron në moment, kurse për votat e shqiptarëve ju duhen 2 muaj!
Me të drejtë shumë pyesin: Kush do ti votojë këto, pasi Kasta ka aktualisht parlamentin në dorë dhe nuk do pranonin kurrë, sepse dalin direkt jashtë loje?!
Përgjigjia është vetëm një: Vetë Kasta do ti votojë!
Protesta tashmë është e ndërgjegjshme që ata nuk ikin vetë, edhe kur janë kapur sistematikisht në flagrancë duke vjedhur. Nuk ikin as me votë, sepse e kanë kapur sistemin zgjedhor. Nuk ikin as kur i kap SPAK. Nuk i lëshojnë as partitë, sepse edhe ato i kanë kapur dhe i kanë kthyer në Sh.p.k.
Por çdo gjë ka një limit. Protesta ka 35 vite që i pret të ndryshojnë, të reflektojnë, të dorëhiqen kur e bëjnë baltë dhe nuk mbajnë asnjë premtim për të cilat i kanë votuar, refuzojnë ti nënshtrohen drejtësisë kur kapen në shkelje.
Edhe pse Shqipëria më herët "ju ka dhënë", shumë herë, gjithçka dhe përtej çdo imagjinate, 35 vite rresht pushtet, pasuri për shumë breza, sërish dhe pafundësisht, refuzojnë të largohen. Deri para Protestës refuzonin pasi i komandonte babëzia dhe makutëria për pasuri dhe pushtet.
Tani gjatë Protestës janë në fazën që po i komandon Frika. Kanë frikë ti nënshtrohen vullnetit të Protestë, sepse pa mbrojtjen e sistemit-bunker që po shtrëngojnë fortë, e dinë vetë se çfarë kanë bërë dhe çfarë fature kanë për të paguar.
Pagesa sipas secilit bëhet vetëm para Drejtësisë dhe Zotit. Kurse me shqiptarët, (Protestën), kanë kryer punë në këtë drejtim: Të urryer dhe të shkërmoqyr deri në legenosje!
Në këto kushte duhet ta kuptojnë, se nuk po ju lutet kurkush. As të negociojnë, as të ikin, as të lejojnë dhe të votojnë "Shqipërinë e re", (Kushtetutën e re, jo parti).
Mes zgjedhjeve logjike, morale, real-politike, natyrisht që ata kanë edhe rrugën që po ndjekin aktualisht: Të zgjedhin qëndrimin në bunkerin e tyre, duke u tkurrur çdo ditë nga braktisja dhe nga frika.
Kurse Protesta ka vetëm një rrugë. Ajo është detyrim-përcaktim: Të rritet çdo ditë, frikshëm për ata dhe bukur për Shqipërinë.
Kjo Protestë nuk mund të ndalet dot më deri sa të rikthejë Shqipërinë normale, të drejtë, të mundësive të barabarta dhe mbi të gjitha të rikthejë në fole fëmijtë e saj, të arratisur prej kësaj kaste pushtuese. Kthjellohuni dhe dorëzohuni, sepse është edhe për të mirën tuaj: Kjo Protestë nuk ka Kokë për ta prerë dhe për ta blerë. Nuk ka as Kohë për ta shuar, pa fituar!

Po ndodh...

ide

Nga Neli Demi 12:52 IDE

Gen Z

Nga Neli Demi