Afera Partizani/ Sërish zvarritje në GJKKO, avokatët kërkojnë përjashtimin e gjyqtares! Gjokutaj: Fjorela Davidhi e njëanshme

24 Prill 2025, 13:52 / POLITIKË ALFA PRESS

Afera Partizani/ Sërish zvarritje në GJKKO, avokatët

Avokatët e Sali Berishës po përdorin sërish taktika zvarritje dhe as sot nuk pati një vendim nga GJKKO për kalimin ose jo për gjykim të dosjes së aferës Partizani. Për të zvarritur sërish këtë vendim, avokatët mbrojtës kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Fjorela Davidhi. Avokati Gjokutaj tha se kanë kërkuar përjashtimin me argumentin se Davidhi është e njëanshme. 

Seanca e radhës më 5 maj, që përkon 6 ditë para zgjedhjeve të 11 majit. Sot pritej të jepej një vendim nëse dosja “Partizani”, me të pandehur Sali Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerët, do kalonte për gjykim, por avokatët e zvarritën sërish. 

Një ditë më parë, gjyqtarja Fjorela Davidhi rrëzoi kërkesat e avokatëve mbrojtës për pavlefshmëri dhe papërd orshmëri të provave të SPAK, por nuk dha vendim për kalimin e çështjes në gjykim.

Prej 6 muajsh, mbrojtja ka përdorur mjete të ndryshme ligjore për të vonuar vendimmarrjen, në përpjekje për të shmangur përballjen e Berishës me gjykatën para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Seanca paraprake nisi që në tetor 2024, por është shtyrë vazhdimisht deri më tani, kryesisht përmes taktikave të ndryshme nga mbrojtja. Nëse gjyqtarja Davidhi vendos më 5maj  kalimin e çështjes për gjykim, kjo do të ishte përballja e parë e Sali Berishës me drejtësinë. Vendimi do të ishte një goditje e fortë për të, dhe do të vinte vetëm pak javë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, pasi dyshohet se ka përdorur postin e tij si kryeministër për të favorizuar dhëndrin e tij në privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Sipas SPAK, ai ka miratuar vendime dhe akte ligjore për të lehtësuar procesin dhe ka ushtruar presion mbi institucionet shtetërore për ta përshpejtuar privatizimin. Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës, është nën arrest shtëpie dhe akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Ai dyshohet se ka përfituar 5.4 milionë euro nga privatizimi dhe ndërtimi i pallateve në truallin e ish-klubit Partizani.

Fatmir Bektashi, biznesmen dhe bashkëpunëtori në projekt, është i pandehur për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Xhimi Begeja, bashkëpronar i truallit dhe ortak në kompaninë “Homeplan”, akuzohet për pastrim parash. Andia Pustina, ish-financiere e kompanisë “Homeplan”, akuzohet gjithashtu për pastrim parash, pasi administroi veprimet financiare dhe ligjore të shoqërisë. Përveç tyre, SPAK ka vënë nën akuzë për pastrim parash edhe shoqëritë Homeplan sh.p.k., Studio Pustina sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.

Po ndodh...